Ish-ministri i Financave, Arben Malaj ka komentuar situatën politike dhe ekonomike në vend, ndërsa ka ngritur alarmin se vendi mund të zhytet në krizë të thellë.
Përmes një analize në rrjetet sociale, ish-ministri Malaj i ka bërë thirrje ish-kryeministrit Sali Berisha që të tërhiqet nga jeta aktive politike dhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa ka theksuar se këtë vendim ish-lideri demokrat duhet ta marrë, pasi siç thotë ai, e ka detyrim moral ndaj qytetarëve dhe sidomos demokratëve. Sipas tij, Berisha është i “dënuar” të tërhiqet nga politika.
“Personalisht, përsëris apelin publik që Berisha duhet të tërhiqet nga jeta aktive politike dhe si deputet. Por duke parë debatet televizive, mediat e shkruara dhe që disa analistë të rilindur sa herë që ndryshojnë mazhorancat po e orientojnë të gjithë debatin publik nëse Berisha do të jetë apo jo në Parlament, vlerësoj se përballë sfidave të vështira që ka vendi, ato/ato po keqpërdoren përballë dështimeve dhe sfidat që ka vendi”, – shkruan ai.
Më tej ish-ministri Malaj bën përgjegjës ish-kryeministrin Sali Berisha se kur ka qenë në pushtet shkaktoi vetëm kriza ekonomike si piramidat në ‘97 dhe korrupsion.
“Ndërkohë përsëris apelin publik që Berisha të tërhiqet nga jeta aktive politike dhe si deputet. Ai duhet ta bëjë këtë si një detyrim moral dhe përgjegjësi politike jo vetëm ndaj anëtarëve dhe mbështetësve të PD-së, pasi: (i) nuk e la pas një partie politike demokratike: (ii) nuk ndërtoi kurrë një shtet të fortë ligjor bile e dëmtoj rëndë atë me krizën e piramidave, korrupsionin dhe kapja e shtetet u gjallëruan në mandatin e tij të dytë dhe ju trashëgua Rilindasve të babëzitur dhe (iii) sepse nuk konceptoi dhe as ndërtoi dot themelet e një ekonomie që prodhon prosperitet për shqiptarët, por la pas modelin politik dhe ekonomik që prodhon dhe pasuron oligarkë për politikanët”, – nënvizoi ish-ministri i Financave, Arben Malaj.
Diskutime rreth kësaj post