Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim thotë se pret nga SPAK që të godasë krimin e organizuar dhe korrupsionin, “sado i pasur apo i fuqishëm që të jetë”.
Kim është takuar ditën e sotme me kreun e SPAK, Arben Kraja, të cilit i nënvizoi se SHBA pret ndëshkimin e të korruptuarve “pavarësisht se nga cila parti” janë.
“U takova sot me kreun e SPAK, Arben Kraja për të nënvizuar pritshmërinë e SHBA, për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe korrupsionin, pa marrë parasysh se sa i fuqishëm apo i pasur është, pavarësisht nga cila parti. Me më shumë hetues e prokurorë të rinj, BKH dhe SPAK po jep rezultate çdo ditë,” shprehet ambasadorja Kim.
Më herët, në media kanë qarkulluar zëra se muaji shtator do të sjellë arrestime të bujshme zyrtarësh e politikanësh të lartë të përfshirë në afera korruptive, megjithatë edhe mosbesimi ka qenë konstant.
Ambasadorja Kim bën më tej një bilanc të çështjeve të reja të hapura nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Që nga fillimi i vitit 2021, SPAK ka hapur 264 raste të reja (218 korrupsion + 46 organizata kriminale). 127 persona u dënuan. Vendimet përfundimtare të gjykatës konfirmuan konfiskimin e 70+ milionë eurove që tani i janë transferuar shtetit shqiptar. Hap pas hapi…,” shprehet ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim.
Diskutime rreth kësaj post