Nisi sot sezoni i ri i programit ‘Abc e Pasdites’ me moderatorin Ermal Peçi. Tashmë siç ju kemi njoftuar edhe më herët, takimet e përditshme do të jenë nga ora 16:00 – 17:30 plot të ftuar, rubrika dinamike e argëtim. Hapësira dedikuar historive njerëzore nisi sot me çiftin afgan Fatima e Aziz të akomoduar në Shqipëri. Ata treguan se po përgatiteshin për dasmën e tyre teksa ndodhi kriza humanitare në Afganistan dhe u gjendën përballë një kaosi total dhe pasigurisë për jetët e tyre.
‘Kishim planifikuar të martoheshim rreth muajit shtator, por krejt papritur çdo gjë u shkatërrua së bashku me planin tonë. Kur na u dha mundësia që të largoheshim nga vendi, familja jonë na tha “nisuni menjëherë”. Ditët e para të pushtetit taleban qenë të vështira. Të dy ne punonim në një organizatë me bazë Shtetet e Bashkuara. Për talebanët kjo nuk ishte shenjë e mirë, kështu që jemi detyruar të fshehim sendet tona, telefonat, dokumentet. Ata të vrisnin nëse dallonin diçka ‘perëndimore’.
Çifti tregoi se kanë lenë në Afganistan në gjendje të vështirë financiare edhe familjarët e tyre, teksa me dhimbje pohojnë se nuk e dinë si do të shkoj fati i tyre. Të pyetur për pamjet e afganëve në aeroport, imazhe që benë xhiron e botës thanë se nga ta mund të presim ‘të paimagjinueshmen’ për shkak të situatës atje. Po përse disa afganë janë shprehur për mediat shqiptare se duan të ikin nga Shqipëria? Si i komentojnë ata këto deklarata? Po ata çfarë do të bëjnë?
‘Së pari, mendoj se kjo ndodh sepse ju jeni shumë të rinj për ne. Nuk kemi shumë informacion mbi vendin tuaj. Së dyti, në shumë raste njeëzit kanë të afërm që jetojnë në Europën perëndimore apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndihen më të sigurt kur kanë një person qe e njeh shtetin. Kjo është arsyeja mendoj. Edhe ne duam të ikim pranë familjarëve tanë në Mbretërinë e Bashkuar ose në Australi. Të shohim’
Çifti tregoi në ‘Abc e Pasdites’ se ndihen shumë mirë me akomodimin në Shqipëri teksa me shaka shtuan se ky është ‘muaji i mjaltit’ përtej çdo parashikimi. Edhe pse kur u arratisën nga Afganistani e morën avionin askush nuk i tha se do vinin në vendin tonë, pohojnë se ndjejnë mikpritjen dhe respektin e shqiptarëve.
Diskutime rreth kësaj post