Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka zhvilluar telefonatë me sekretarin e Shtetit amerikan, Antony Blinken. Në një shkrim në “Twitter”, Kurti ka thënë se është biseduar për pranimin e afganëve në Kosovë, duke shtuar se do t’iu ofrojë ambient të sigurt.
“Kosova është e nderuar të ofrojë një mjedis të sigurt për qytetarët afganë gjatë tranzicionit të tyre. Aleanca jonë me SHBA-në është e palëkundur dhe miqësia jonë po bëhet më e fortë”, tha Kurti përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
Ai shtoi se Sekretari Blinken i ka shprehur Kosovës mirënjohjen në emër të presidentit amerikan, Joe Biden për bashkëpunimin dhe ndihmën.
Kontaktet e udhëheqësve shtetërorë të Kosovës dhe atyre të SHBA-së janë shpeshtuar që prej se në Kosovë kanë filluar të arrijnë grupe të afganëve që janë evakuuar nga Afganistani.
Më 2 shtator edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një bisedë telefonike me nënpresidenten e SHBA-së, Kamala Harris.
Shtëpia e Bardhë pati thënë përmes një njoftimi se nënpresidentja Harris shprehu mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara për ndihmën e Kosovës në përpjekjet e evakuimit nga Afganistani.
Më 16 gusht Kosova miratoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të strehuar një numër afganësh që kanë punuar me forcat e huaja gjatë 20 vjetësh të luftës në Afganistan dhe të cilët ndjehen të pasigurtë nën sundimin e talibanëve, të cilët e morën kontrollin e Afganistanit, pas tërheqjes së ushtarëve amerikanë dhe të vendeve aleate.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha për Radion Evropa e Lirë të hënën se deri më tani në Kosovë janë strehuar përkohësisht 683 shtetas afganë.
Sveçla bëri të ditur se përveç kampit Bechtel-Enka në Ferizaj, afganët tani po strehohen edhe në kampin ushtarak amerikan, Bondsteel. Aty, aktualisht janë strehuar 91 afganë.
Ministri Sveçla po ashtu bëri të ditur se sipas planit, ardhja e qytetarëve afganë do vazhdojë edhe gjatë kësaj jave.
Diskutime rreth kësaj post