Ish-kryeministri Sali Berisha duket se është në ankth për shkak të zhvillimeve që pritet të ndodhin para 10 shtatorit. Të premten që vjen në orën 10:00 pritet të mblidhte Parlamenti i ri, ndërkohë që kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk ka dalë ende me një vendim nëse do të distancohet ose jo nga ish-kryeministri Berisha, pas shpalljes së këtij të fundit “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Por për t’i paraprirë ndonjë surprize dhe skenari në dëm të tij, zoti Berisha ka shtuar sulmet ndaj qeverisë dhe presionet ndaj kryedemokratit Basha.
Ditën e djeshme ish-lideri demokrat, Sali Berisha komentoi qeverinë “Rama 3”, ndërsa shprehu bindjen se qëndrimi i Edi Ramës në krye të ekzekutivit edhe për katër vite të tjera është një fatkeqësi kombëtare. Sipas tij, janë një duzinë arsyesh që Rama nuk e meriton të qeverisë shqiptarë për 4 vitet e ardhshme.
“Mandati i tretë i Edvin Kristaq Ramës është fatkeqësia e tretë kombëtare e shqiptarëve sepse vjen pas dy mandateve në të cilat shqiptarët u mashtruan, u varfëruan, u izoluan si kurrë ndonjëherë në këto 30 vite. “Rama tre” është fatkeqësia e tretë madhore e shqiptarëve sepse njëlloj si dy mandatet e tjera bazohet në vjedhjen në taksa, dogana, prokurime të të ardhurave të qytetarëve shqiptarë nga klika kleptokratike në pushtet”, shkruan ai. Më tej nisur dhe nga këto arsye madhore, ish-kryeministri Berisha iu bëri thirrje qytetarëve të ngrihen kundër qeverisë, për përmbysjen e saj. “Mandati i tretë i Argatit të Vuçiçit është mandati më i rrezikshëm në historinë e kombit shqiptar, mandati i vasalitetit të plotë të Shqipërisë ndaj Beogradit, të rrethimit të Kosovës nga klikat antishqiptare të Tiranës dhe Shkupit. Mandati i tretë do jetë pra mandati i vasalizimit të plotë të Shqipërisë dhe Maqedonisë se Veriut ndaj Beogradit, i rrethimit të Kosovës pothuaj nga të gjitha anët nga klika antishqiptare serbe, maqedonase dhe shqiptare albanofobe. Të gjitha këto të dashur miq, janë një thirrje, një kushtrim për çdo qytetar shqiptar të ngrihet kundër kësaj klike antikombëtare të ngritur mbi krimin, drogën, korrupsionin dhe tradhtinë e lartë kombëtare. sb”, nënvizoi ai. Pra, përmes këtyre thirrjeve ish-kryeministri Berisha kërkon revolta për destabilizimin e vendit.
Por nëse e shikojmë me kujdes këtë deklaratë, ish-lideri demokrat, Sali Berisha i ka dërguar edhe një mesazh të koduar kryedemokratit Lulzim Basha. Dy ditë më parë gjatë një interviste televizive, kryeministri Edi Rama i shtriu dorën e bashkëpunimit zotit Basha, për të cilin tha se s’ka vija të kuqe. Mirëpo kjo deklaratë është “nuhatur” nga ish-kryeministri Berisha, i cili është hedhur në veprim dhe i kërkon Bashës që të qëndrojë larg bashkëqeverisjes me Ramën. Madje për t’i treguar Bashës se qeveria “Rama 3” nuk duhet të ekzistojë, zoti Berisha ka përmendur edhe një sërë arsyesh që tregojnë qartë se ajo është e zhytur në krim dhe korrupsion. Pra, të gjitha këto tregojnë se afrimi i 10 shtatorit ka frikësuar Berishën, i cili paralelisht kërkon edhe revolta për destabilizimin e vendit, por i dërgon edhe mesazh Bashës të qëndrojë larg bashkëqeverisjes me Ramën.
Diskutime rreth kësaj post