Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste pritet të ulen bashkë për ndryshimin e reformës territoriale. Kreu i PD, Lulzim Basha e ngriti si çështje edhe në Këshillin Kombëtar të PD, ku kërkoi që palët të venë në bisedime, ndërkohë që PS duket e gatshme për një lëvizje të tillë. Të enjten kryeministri e konfirmoi se është i gatshëm për të bashkëpunuar dhe kjo ka sjellë një sërë reagimesh politike. Ish-kandidati për deputet, Roland Bejko në një dalje televizive dje u shpreh se 2/3 e bashkive u krijuan për interesa politike. Prandaj sipas Bejkos duhet që palët politike të ulen dhe të diskutojnë ndarjen e re territoriale.
“Ne mendojmë se 2/3 e bashkive u krijuan për interesa politike. Prandaj ne themi ulemi në një tryezë, së bashku me shoqërinë civile dhe të diskutojmë mbi ndarjen e re territoriale, siç e përcakton Kushtetuta e Shqipërisë”, tha Bejko.
Nga ana tjetër Lëvizja Socialiste për Integrim duket jashtë loje sa u përket diskutimeve për reformën territoriale. Ishte nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, i cili deklaroi se pa u zgjidhur çështja e 25 prillit, nuk do të zgjidhet asnjë tjetër. Ai u shpreh se marrëveshja e 5 qershorit ishte një marrëveshje e dështuar nga e cila sipas tij u mësua qartë se marrëveshjet me kryeministrin Edi Rama janë të njëanshme nga Rilindja.
“Dje, zoti Basha e tha qartë se qëndron fokusi te 25 prilli. Pa zgjidhur 25 prillin, asnjë reformë dhe marrëveshje nuk bëhet e mundur. Ne vijmë nga dështimi i 5 qershorit, i garantuar nga ndërkombëtarët, që u zhbë me ndryshime kushtetuese të turpshme dhe të njëanshme të “Rilindjes” dhe bashkë me të u nxor mësimi që kush beson te marrëveshjet me Edi Ramën, do të ketë 5 qershor të tjerë”, tha Vasili.
Ai u shpreh se të ulurit në tavolinë me kriminelët e votave i jep legjitimitet 25 prillit. Vasili tha se si PD ashtu edhe LSI e kanë njohur 25 prillin si një masakër elektorale kështu që sipas tij ka një sinkronizim të natyrshëm mes të dyjave.
“Pasi, në këtë mënyrë, ilegjitimiteti i atyre që grabitën 25 prillin, do të bënte të ndërtohej një ilegjitimitet i ri dhe pa zbardhur këtë çështje, do të thotë që kriminelët e votave të ulen në krye të tavolinës. Zbardhja e 25 prillit do të bënte që Parlamenti të hynte në shinat e ligjshmërisë. Nuk shoh asnjë diferencë. PD dhe LSI e kanë përcaktuar 25 prillin si masakër zgjedhore, si zgjedhjet më të këqija të pluralizmit, kështu që sinkronizimi është i natyrshëm, nuk ka nevojë të ndërtohet”, tha ai.
Po ashtu nuk kanë munguar as akuzat dhe sulmet ndaj qeverisë së re ku Vasili u shpreh se është i njëjti kryeministër i korruptuar, i cili së bashku me nëpunësit e tij do vazhdojnë të rrënojnë vendin. Sipas tij, Rama nuk prezantoi asnjë ide, por vetëm bëri lëvizje brenda Rilindjes.
“Është i njëjti kryeministër, i cili prodhoi një Shqipëri të rrënuar. Kryeministri prezantoi dje nëpunësit dhe “kamikazët” e tij, që do të firmosin symbyllur koncesionet hajdute dhe do të jenë vazhdimësia e një vendi që rrënohet, pasi nuk dëgjuam asnjë ide, por vetëm lëvizje brenda Rilindjes”, tha Vasili.
Diskutime rreth kësaj post