Avokati i njohur Spartak Ngjela dje ka folur për çështjen e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe hyrjes së tij në Parlament. Ngjela u shpreh se nëse Berisha hyn në Parlament atëherë do të shkelet ligji. Avokati tha se ligji i dekriminalizimit nuk e lejon, por kryeministri Edi Rama e do në Parlament pasi e sheh si gogol. Sipas Ngjelës, Berisha është një antiamerikan të cilit gabimet i kanë krijuar një kosto shumë të madhe .
“Që të hyjë Berisha në Parlament do shkelet ligji. Ligji për dekriminalizimin thotë se non-grata në SHBA nuk futesh dot në parlament. Nuk konkurron dot. Si do hyjë ky? Po të hyjë ky, shkelet ligji. Nuk e di ça do bëjë Rama, ndoshta Rama e do si gogol. Ka gogol Saliun, Saliu s’kupton. Ku e pranon Tirana Saliun. Asnjë s’e pranon. Ai nuk ka vota. Qëndron se është rrezikuar personalisht dhe si familje, nga “non grata” amerikane. E ka fajin vetë, çdo gabim ka kosto. Atij i kanë krijuar kosto të madhe gabimet. Dy janë anti-amerikanë, Enver Hoxha dhe Sali Berisha. Niveli i ynë për zgjedhje është i dobët se nuk kemi pasur zgjedhje të lira dhe konkurrencë personalitetesh. Këtu thotë do e votoj se e kam patriot nga veriu”, tha Ngjela.
Po ashtu avokati u ndal edhe tek deklaratat e kreut demokrat Lulzim Basha mbi 25 prillin dhe zgjedhjet e vjedhura. Ai u shpreh se partitë politike në vendin tonë janë si fantazma madje edhe pa kryetar. Sipas Ngjelës, Basha është një kryetar pa vizion dhe me njerëz të tillë në Parlament nuk do të ketë ndonjëherë zhvillim të vendit, por vetëm krizë.
“Duhet të themi se partitë politike në Shqipëri janë fantazma. Janë fantazma se janë partitë e kryetarit. Kemi partinë andej, ka humbur. M’i kanë vjedhur zgjedhjet thotë. Nuk e di që po të vodhën shtëpinë, ke edhe ti përgjegjësi. Pastaj ça vjedhje kur këtu ka qenë ODIHR. Pra nuk ka kryetar andej. Po ky këtej? Ky nuk ka vizion, mund të ketë marrë ekspertë të mëdhenj. Nuk mund të flas pa program. Nëse Parlamenti do jetë në këtë nivel që po shohim, nuk do të kemi zhvillim. Kriza jonë është tek ngritja e personaliteteve në politikë”, deklaroi Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post