Kërkesa e sekretares për të përndjekurit politikë në PD mbi largimin e ish-kryeministrit Sali Berisha ka futur në sherr demokratët. Kjo çështje ka ndezur PD ku dje ka reaguar deputeti Luçiano Boçi, i cili e cilësoi krahasimin e Godoles një krahasim të gabuar. Boçi tha se Helmut Kohl dhe Berisha ngjasojnë vetëm në pikën ku Berisha rrëzoi regjimin dhe solli drejtësinë ndërsa Kohl solli unifikimin e dy gjermanive. Sipas deputetit përveç kësaj pike Kohl dhe Berisha nuk kanë asnjë ngjashmëri tjetër.
“Çdo krahasim çalon – thotë një fjalë e urtë gjermane. Ndërsa krahasimi i sjellë në media midis Berishës dhe ish-kancelarit Kohl, për qëndrimin që duhet të mbajë një parti politike ndaj ish-liderit, jo vetëm çalon, por dhe është krejtësisht i gabuar. Helmut Kohl dhe Berisha ngjasojnë në një pikë. Në rolin e tyre specifik në kthesat historike të dy vendeve në vitet ‘90. Berisha për rrëzimin e regjimit dhe sjelljen e demokracisë. Kohl për shembjen e murit të Berlinit dhe unifikimin e dy Gjermanive. Pjesa tjetër e sjellë në opinion nuk ka pika takimi. Helmut Kohl u akuzua dhe u dënua më pas nga drejtësia gjermane për të ashtuquajturat “fonde të zeza”. Për rrugët jo ligjore që kishte ndërtuar për financimin e partisë që drejtonte CDU, nëpërmjet llogarive sekrete, të padeklaruara. Vetë Kohl e pranoi, duke refuzuar të përmendë emrat e donatorëve. Pas këtij pranimi faji, CDU u distancua nga ai”, tha ai.
Teksa të gjithë presin që PD të dalë në një deklaratë për çështjen e Berishës para seancës së 10 shtatorit, duket se ka një klimë të tensionuar brenda partisë ku një pjesë e mirë e tyre janë pro largimit të Berishës duke shtuar kështu edhe presionet ndaj Bashës për të vepruar. Nga ana tjetër sa i përket Shqipërisë, Boçi tha se PS ka blerë vota masivisht dhe ka një diferencë të madhe mes fondeve që u morën dhe atyre që janë përdorur. Deputeti u shpreh se burimi i këtyre parave ishin koncesionet, PPP-të dhe tenderat që merret qeveria e kryeministrit Edi Rama.
Diskutime rreth kësaj post