Ish-kandidati për kryetar i PD-së Fatbardh Kadilli, ka folur sa i përket shpalljes “non grata” të ish-kryeministrit, Sali Berisha nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në një intervistë televizive, ai u shpreh se shpallja “non grata” ka kosto për Partinë Demokratike. Ai tha se shpresonte që Berisha do të reflektonte dhe do të kishte dhembshuri për PD-në, në lidhje me mandatin e deputetit.
“Sa ka dalë njoftimi nga DASH kam reaguar unë dhe kam i bërë thirrje Berishës ta ndjekë privatisht dhe i kam bërë thirrje që të mos e përfshijë PD-në. Çfarë fakte dhe prova kërkon nga PD? Kjo e përfshin PD-në. Veprimi i Berishës është politik, prisja që Berisha të reflektonte vetë se kjo krijon kosto për PD-në afatshkurtër e mesëm. Qëndrimet politike mund të ndryshojë po jo brenda ditës. Ai duhet të kishte dhembshuri për PD-në se ka kontribuar për PD-në po ka marrë më shumë se çdokush nga PD-ja”, – tha ai.
Sipas Kadillit, meqë ish-kryeministri nuk reflektoi, këtë duhet ta bënte kryetari Basha, sa i takon marrjes në konsideratë të mandatit të Berishës. Sipas tij, kjo duhej bërë në mënyrë që të forconte rolin e tij politik dhe të dëshmonte besueshmëri.
“Duhet të ishte zgjedhja e tij, nuk e bëri Berisha, por duhet ta bënte Basha. Berisha është shprehur disa herë, por qëndrimin nuk e mban ish-kryetari, por kryetari, që të forcojë profilin politik e të jetë i besueshëm”, – tha ai.
Kadilli theksoi se në këndvështrimin e tij, nuk shikon distancim të Bashës nga Berisha. Ai thekson se ky sistem kryetarokracie duhet të marrë fund, për të sjellë meritokraci dhe konkurrencë në interes të qytetarëve.
“Nuk e shoh si të tillë, e shoh si rritje të presionit të jashtëm, gjithë shoqëria është bindur se ky sistem nuk prodhon asgjë të mirë as për mazhorancën e as për opozitën dhe nevoja për të ndryshuar kryetarokracinë, për të kthyer konkurrencën në parti se kur të vijë në pushtet nuk do të sjellë konkurrencë, por do jetë monopol, klientelizëm”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post