Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, më 14 shtator do të bëjë vizitën e fundit si kancelare jashtë shtetit. Ajo ka zgjedhur pikërisht Shqipërinë për të takuar liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Berlini zyrtar konsideron se Tirana dhe Rama për këto vite kanë relaksuar marrëdhëniet e vendeve të Ballkanit, veçanërisht me vizitat e ndërsjella në Tiranë dhe Beograd, të cilat ishin në fillim me armiqësi, por më pas me tone të relaksuara”, ka thënë burimi për AP.
Në këtë vizitë, Merkel do të takojë të gjithë liderët e shteteve ballkanike, me përjashtim të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç (takimet bëhen në nivel kryeministrash).
Kancelarja, pas takimeve, për të përcjellë mesazhin e saj, do të mbajë edhe një konferencë për media.
Takimin e fundit, ajo pritet ta ketë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ku temë diskutimi do të jenë rrugëtimi në procesin e Berlinit dhe agjenda gjermane në Ballkan.
Procesi i Berlinit
Procesi i Berlinit pati filluar me objektiva konkrete, por modeste, siç ishte lehtësimi i bashkëpunimit rajonal në mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (WB6) – Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë – por me vizionin që t’iu ndihmohet në përmbushjen e kritereve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Komponenti i tij më i rëndësishëm është e ashtuquajtura “Agjenda e Konektivitetit”, e cila fillimisht synonte që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i lidhë mes vete në fushat e transportit dhe energjisë, dhe më vonë kjo lidhje të zgjerohet edhe në shkëmbimin për rininë dhe në bashkëpunimin ekonomik.
Samitet e mbajtura në kryeqendrat e Evropës ndihmuan në vendosjen e komunikimit ndërmjet liderëve të Ballkanit, si dhe në dizajnimin e disa projekteve infrastrukturore dhe të iniciativave rajonale.
Projektet e miratuara për secilin shtet të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor financohen pjesërisht nga mekanizmat e BE-së dhe pjesërisht nga vetë këto shtete.
Agjenda e Konektivitetit kombinon politikat dhe infrastrukturën, duke ndërlidhur kështu shtetet ndërmjet vete dhe me BE-në.
Për shkak të Procesit të Berlinit, qeveritë kanë vendosur një rrjet gjithëpërfshirës rajonal të infrastrukturës, duke e bërë kështu Ballkanin Perëndimor pjesë të Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T).
Gjithashtu, Procesi i Berlinit ka gjeneruar edhe iniciativa të lidhjeve rajonale, siç janë bashkëpunimi në energji, Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO), krijimi i një Zone Ekonomike Rajonale dhe nënshkrimi i Traktatit të Komunitetit të Transportit.
Megjithatë, suksesi i iniciativës së nisur me Procesin e Berlinit varet nga përmirësimi i marrëdhënieve në mes vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Prandaj, në vitin 2015, qeveritë kanë aprovuar një Deklaratë për Bashkëpunim Rajonal dhe për Zgjidhjen e Çështjeve Bilaterale.
Gjermania, por edhe vetë Merkel e kanë pasur të rëndësishëm suksesin e një nisme të tillë, meqë kjo përbën herën e parë kur ky shtet merr përsipër një proces kaq të rëndësishëm të negocimit të shteteve të Ballkanit.
Gjermania, po ashtu, e kishte bërë vetën aktore të rëndësishme në arenën ndërkombëtare kur mori pjesë me ushtrinë e vet në kuadër të KFOR-it, në vendosjen e trupave në Kosovë, veprim i parë ushtarak ky i Gjermanisë qysh nga Lufta e Dytë Botërore.
Diskutime rreth kësaj post