Lefter Koka ka hequr dorë nga mandati i deputetit të PS-së për t’u larguar nga politika përfundimisht. Pas këtij akti që pritet të depozitohet edhe zyrtarisht në KQZ, mësohet se mandatin e lënë do ta përfitojë Ana Dhamo.
Kjo për shkak të ligjit zgjedhor të barazisë gjinore. PS fitoi tetë mandate në zgjedhjet e fundit parlamentare të Durrësit.
Ana Dhamo lindi në Durrës, në 2 Shtator 1985. Ajo është e martuar me Z. Francesco Vitobello dhe ka një djalë me emrin Luca. Znj. Dhamo është kandidate për Doktor Shkencash në profilin e të Drejtës Publike pranë Universitetit Europian të Tiranës. Në maj të vitit 2012 ajo ka përfunduar Shkollën e Specializimit për Profesionet Ligjore pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Urbinos, Itali.
Në tetor të vitit 2010 përfundon studimet e ciklit 5 -vjeçar në Fakultetin e Drejtesisë pranë Universitetit të Urbinos “Carlo Bò”. Ajo ka hyrë në politikë në vitin 2015, ku është zgjedhur anëtare e Këshillit Bashkiak të Durrësit.
Që nga viti 2014 është pjesë e stafit pedagogjik të Universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, Departamenti i Drejtesisë, si dhe anëtare e Dhomës së Avokatisë, Durrës. Nga viti 2013 zhvillon rregullisht Konferenca Shkencore Kombëtare dhe Ndërkombëtare në vende të Bashkimit Europian (Maltë, Spanjë, Hollandë, Republikë Çeke) dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fushën e të Drejtës Publike dhe asaj Ndërkombëtare dhe Europiane. Znj. Dhamo zotëron gjuhën italiane dhe angleze.
FOTO:
Diskutime rreth kësaj post