Anëtari i ri i Kryesisë së Partisë Demokratike, Gert Bogdani dje komentoi situatën brenda partisë si dhe sfidat e saj. Ai po ashtu foli edhe për zërat kritikë për të cilët u shpreh se kritikat janë mesazh për të reflektuar.
Bogdani u shpreh se duhet të reflektojnë për kritikat në mënyrë që ta përmirësojnë partinë akoma edhe më shumë. Sipas tij, PD duhet t’i hapë më shumë dyert ndaj zërave kritikë dhe atyre që kanë potencial.
“Partia Demokratike ka kohë që ka zëra kritikë brenda. Rasti i zotit Marku duhet parë më specifikisht pasi është një dorëheqje pas një rezultati pozitiv. Duhet parë dhe analizuar me qetësi. Kritikat sidoqofshin janë të drejta dhe nga kritikat duhet të reflektosh. Nuk ka kritikë të keqe sidomos kur bëhet me dashamirësi. Nëse nuk pranon asnjë kritikë je autokrat.
Kemi kryeministrin, i cili nuk pranon asnjë kritikë. Ka pasur kritika të pranuara nga Mark Marku. Duhet të reflektojmë që të forcojmë Partinë Demokratike. Pas një humbje zgjedhjesh goditja është shumë e fortë. Është koha që PD të hapë më shumë dyert jo vetëm për zërat kritikë, por edhe për ata që kanë potencial. Vendi ynë ka akoma shpresë dhe zërat e shoqërisë civile nuk duhen lënë vetëm që të forcohet më shumë”, – tha ai.
Bogdani tha se PD pritet të vijë me energji dhe sfida të reja. Sfidat e radhës sipas tij janë reforma e re territoriale e zgjedhore pasi ato kanë nevojë për ndryshime të thella.
“Shpresoj që PD do të vijë me energji të reja me një sfidë shumë më të madhe pasi vijmë pas zgjedhjeve të 25 prillit ku vullneti i qytetarëve u deformua. Jemi në një periudhë reflektimi të brendshëm dhe duhen parë sfidat e PD-së. Kufizimi i pushtetit në dorën e një njeriu të vetëm, reforma e re territoriale pasi reforma e fundit nuk është në funksion të qytetarëve, zgjedhjet lokale si dhe një reformë e re zgjedhore pasi ka nevojë për ndryshime të thella janë sfidat e radhës”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post