Ish-zyrtari afgan Hassan Poya, i cili ka mbetur i bllokuar në Kabul, pasi nuk ka mundësi të largohet nga Afganistani, ka folur për emisionin “Breaking’ mbi situatën e krijuar pas marrjes së kontrollit të territorit nga talebanët.
“Situata është më mirë krahasuar me ditët e para, e njerëzit ishin të frikësuar për shkak të masave që kemi pasur në të kaluarën. Në ndryshim nga ditët e para, njerëzit kanë filluar të dalin pak, edhe pse ka një lloj frike. Në ditët e para frika ishte e madhe”, – tha Poya.
Duke folur nga Kabuli ai deklaron se situata pritet të pasohet me një krizë ekonomike, pasi të gjitha bankat e dyqanet janë të mbyllura dhe situata është ende e paqartë.
“Të gjitha bankat janë të mbyllura, dyqanet janë të mbyllura. Një pjesë e madhe e tyre kanë humbur burimet e tyre financiare, dhe punën e tyre. E nuk kanë qenë të aftë të tërheqin paratë e tyre nga bankat. Unë për momentin jam në vendin ku banoj në lagjen time, i kemi humbur punët, nuk shkoj dot në punë dhe vetë unë e familja ime po hasim vështirësi financiare dhe në ditët në vijim do të kemi probleme e vështirësi për të jetuar. Jemi një familje e madhe. Ime motër ka qenë e punësuar në strukturat e shtetit dhe se nuk ka asnjë mbështetje financiare”, – thekson ai.
Poya bën të ditur se ka bërë kërkese për t’u larguar në Britaninë e Madhe, pasi më parë ka punuar në ministrinë e Jashtme, e ka mbuluar marrëdhëniet me median, por kërkesa për t’u larguar i është refuzuar.
“Situata është e paqartë. Ne nuk i besojmë shumë talebanëve, pasi ata janë shumë ekstremistë, i kanë trajtuar keq në të kaluarën njerëzit dhe kanë kryer vrasje. Ana tjetër është, ajo ekstremiste e këtij grupi. Ata kanë marrë në Kabul të gjitha godinat qeveritare e të bashkisë”, – thekson ai.
Poya ishte këshilltar ligjor në komisonin për Aksesin në Informacion në Parlamentin afgan, por që tani nuk ekziston me marrjen e pushtetit nga talebanët.
Diskutime rreth kësaj post