Ziagul Azimi është 27 vjeç. Në Afganistan punonte gazetare për të drejtat e grave në një televizion në Kabul. Por tashmë ka lënë aty familjen e gjithçka tjetër për të nisur një kapitull tjetër të jetës së saj.
“Jeta në Afganistan ishte e rrezikshme. Me ardhjen e regjimit taleban të ishe një femër gazetare ishte shumë e vështirë. Talebanët morën qytetin dhe unë jam akoma në shok. Nuk mund të fle gjumë”, tha ajo për mikrofonin e “ABC”-së.
E përlotur Ziagul rrëfen për ABC se ka ardhur këtu e vetme, duke lënë pas prindërit dhe njerëzit e afërt. “Unë jam fizikisht këtu, dhe zemrën e kam në vendin tim, tek familja ime”. Ajo nuk ka më shpresa se ata do t’i hipin avionit për t’u bashkuar me të.
“Humba çdo gjë, punën time, familjen time, qytetin tim. Çdo gjë kam humbur. Jam e shqetësuar për familjen time atje. Kam folur me ta po janë detyruar të fshihen. Forcat ushtarake amerikane më ndihmuan vetëm mua, jo familjen time”.
27 vjeçarja ende nuk e di se në c’vend do ta ndërtojë të ardhmen e saj. “Nuk e di nëse do iki në Amerikë. Por nuk e kam më problem. Unë tashmë jam vetëm një refugjate, e cila nuk di asgjë se cfarë do ndodhë me jetën e saj”.
Një tjetër histori është babai i një adoleshenti afgan që ishte gazetar në Afganistan, tashmë familjarisht kanë ardhur në Tiranë. 16 vjeçari Mohamed Eisa studionte në një shkollë turke në vendin e tij, por ardhja e talebanëve në pushtet ia ndërpreu ëndrrat e tij në mes.
“Unë kisha dy ëndrra, të bëhesha përkthyes ose inxhinier kompjuterik. Unë isha shumë i lumtur atje. Por sapo erdhën talebanët jetët tona ishin në rrezik, për shkak se im at është gazetar.
Dhe duhet të emigronim. E kujtoj atë ditë. Isha në shkollë dhe na kërkuan të largoheshim urgjent. Situata ishte kaotike, kisha shumë frikë. Talebanët kishin rrethuar aeroportin e Kabulit. Deri sa dolëm ishte shumë e vështirë”, tha ai.
Shqipëria i ka hyrë në zemër. 16 vjeçari dëshiron t’i vazhdojë studimet në vendin tonë. “Këtu është një vend shumë i mirë. Më pëlqen shumë, edhe moti e dhe natyra. Por më së shumti njerëzit. Ata janë shumë të sjellshëm dhe na kanë trajtuar shumë mirë. Dhe jam shumë komod këtu. Unë dua të qëndroj këtu dhe të vazhdoj studimet këtu”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post