Kreu i PD, Lulzim Basha ka dhënë një mesazh drejtuar demokratëve dhe qytetarëve pas Këshillit Kombëtar. Basha thotë se sot është ditë e rëndësishme për PD pasi demokratët i dhanë besimin ekipit të ri të drejtuesve dhe Kryesisë.
Ai thotë se PD do të hapet dhe bashkëpunojë me shoqërinë dhe këto do të jenë në qendër të reformimit të brendshëm.
STATUSI NGA LULZIM BASHA
“E sotmja është një ditë e rëndësishme për Partinë Demokratike. Demokratet dhe demokratët i dhanë besimin Kryesisë dhe ekipit të ri për të çuar përpara një sfidë që nuk është thjesht partiake, por kombëtare, atë për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Hapja dhe bashkëpunimi i Partisë Demokratike me shoqërinë do të jenë në qendër të reformimit tonë të brendshëm dhe bashkë me shumicën e shqiptarëve që kërkojnë ndryshim, do të ndërtojmë një Platformë Qytetare për Demokracinë, për zgjedhje të lira, për ndryshime kushtetuese që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor. Vetëm kështu mund t’i japim fund kapjes së shtetit dhe sundimit të kësaj pakice të korruptuar e ta bëjmë Shqipërinë një vend të jetueshëm për familjet shqiptare”, ka shkruar Basha.
Diskutime rreth kësaj post