Partia Demokratike do të mbledhë pasditen e sotme në orën 18:00 Këshillin Kombëtar, ku do të zgjedhë pasuesin e Bujar Nishanit në krye të Këshillit Kombëtar, Kryesinë e re, Sekretariatin, Departamentet, por edhe organet e tjera brenda partisë.
Por përveç këtyre, mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD ka ngjallur interes, pasi do të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë kryedemokrati Lulzim Basha dhe Partia Demokratike me ish-kryeministrin Sali Berisha, pas shpalljes së tij “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gazeta foli me ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, i cili gjatë një prononcimi ditën e djeshme theksoi se Këshilli Kombëtar i PD nuk do të mbajë ndonjë qëndrim për Berishën, pasi siç thotë ai, Basha dhe Partia Demokratike nuk kanë mundësi të distancohen nga ish-kryeministri. Kështu që sipas zotit Klosi, surprizat për Sali Berishën nuk do vijnë nga Këshilli Kombëtar.
“Mendoj se mbledhja e së hënës e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike nuk do të prodhojë ndonjë gjë të re sa i takon raportit me ish-kryeministrin Sali Berisha. PD dhe kryedemokrati Lulzim Basha nuk kanë këllqe të distancohen nga Berisha. Distancimin nga Partia Demokratike e ka në dorë vetë Berisha”, – deklaroi ai.
SHBA nuk do e lejojë Berishën të futet në Parlament
Por në kushtet kur kryedemokrati Lulzim Basha dhe Partia Demokratike nuk kanë këllqe të distancohen nga ish-kryeministri Sali Berisha, ish-kreu Shërbimit Informativ Shtetërore, Fatos Klosi u shpreh gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” se në lojë do të hyjnë amerikanët. Sipas zotit Klosi, SHBA nuk do e lejojë Berishën të futet në Parlament.
“Unë mendoj se Berisha nuk do të jetë në Parlament, por kjo falë ndërhyrjeve të SHBA. Ndërkohë nëse ai futet në Parlament patjetër që do të krisen në njëfarë mënyre raportet e Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, – u shpreh ai.
Më herët gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi zbuloi edhe disa nga arsyet që PD nuk distancohet dot prej ish-kryeministrit, ku kryesorja është se sipas tij, Partia Demokratike është prodhim i Sali Berishës.
“Sali Berisha e tha të shtunën po ta keni vënë re me kujdes prononcimin e tij, pas Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, që tha se ai ka krijuar PD-në. Kjo e fundit sipas Berishës është pjella e tij, ndonëse nuk e ka krijuar ai, pasi Partinë Demokratike e krijuan të tjerë që Berisha i eliminoi dhe i përjashtoi, ndërkohë që PD-në e mori pasi ishte krijuar. Kështu që kjo PD që është sot është pjellë e tij, pasi Saliu i ka dhënë formën dhe mënyrën e të menduarit, i ka dhënë filozofinë, etj. Partia Demokratike gjithmonë ka qenë një repart ushtarak, pasi aty dominonte vetëm filozofia “Berishiste”. Berisha i eliminoi dhe flaku nga partia gjithë kundërshtarët dhe themeluesit e PD. Dhe të gjitha këto më bëjnë të mendoj se Partia Demokratike nuk distancohet dot prej Berishës”, – nënvizoi ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi.
Diskutime rreth kësaj post