Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja ka shpallur listën e lojtarëve që do të grumbullohen për tre ndeshjet e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022” ndaj Polonisë, Hungarisë dhe San Marinos.
Lista është e përbërë nga 27 lojtarë, ndërkohë që mes risive janë debutuesi Ernest Muçi, i cili vjen nga Kombëtarja U-21, teksa ndryshe nga miqësoret e qershorit rikthehen në listë të rinjtë Ramen Çepele, Mario Mitaj, Enis Çokaj dhe Armando Broja.
Sa i përket pjesë tjetër, janë të njëjtët lojtarë që kanë qenë rregullisht pjesë e përfaqësueses në ndeshjet e fundit. Tre portierët janë Etrit Berisha, Thomas Strakosha e Gentian Selmani. Në mbrojtje Elseid Hysaj, Albi Doka, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla, Enea Mihaj, Ramen Çepele, Lorenc Trashi, Mario Mitaj, Erjon Hoxhallari.
Në mesfushë Amir Abrashi, Klaus Gjasula, Enis Çokaj, Ylber Ramadani, Keidi Bare, Qazim Laçi, Odise Roshi dhe Endri Çekiçi. Në sulm Ernest Muçi, Bekim Balaj, Armando Broja, Sokol Cikalleshi, Rey Manaj dhe Myrto Uzuni.
Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se Kombëtarja do të nisë grumbullimin të dielën e 29 gushtit me lojtarët që do të bashkohen me stafin në Varshavë. Lojtarët që janë të impenjuar me klubin të dielën do të mbërrijnë në kampin kuqezi të hënën.
Përfaqësuesja shqiptare do të përballet më 2 shtator me Poloninë në transfertë, me sfidën që luhet në stadiumin “PGE Narodoëy” të Varshavës, duke filluar nga ora 20:45. Më 5 shtator, Shqipëria pret Hungarinë në ndeshjen e pestë të eliminatoreve, që luhet në stadiumin “Elbasan Arena” në ora 18:00.
Sfida e tretë e shtatorit është ajo e datës 8, me Kombëtaren që do të presë San Marinon po në “Elbasan Arena”, ndeshje që starton në ora 20:45.
Diskutime rreth kësaj post