Biblioteka e re në zonën e Laprakës nga sot do të mbajë emrin e aktorit, regjisorit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur, Valter Gjoni, i cili u nda nga jeta një vit më parë pasi humbi betejën me virusin Covid 19. Valter Gjoni, i cili i ka shërbyer për një kohë të gjatë edhe qytetit të Tiranës, fillimisht si drejtues i kulturës e më pas edhe i protokollit në Bashki, është kujtuar sot nga familjarët dhe miqtë e tij pikërisht në këtë ambient për të cilin një kontribut të veçantë ndër vite ka lënë dhe vepra e tij. Në ceremoninë e përurimit të Bibliotekës më të re të qytetit të rikonstruktuar dhe pasuruar në numër, por dhe teknologji, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të cilin Valter Gjoni e ka shoqëruar deri një vit më parë në çdo event dhe ceremoni, e ka cilësuar humbjen e ish-bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, një humbje edhe për të gjithë qytetin.
“Nuk mendoja dot një mënyrë më të denjë për ta kujtuar Valterin tonë, them tonin, se kur dikush zgjedh të merret me një angazhim publik nuk është më vetëm i familjes së tij, por i qytetit, vendit, rrugëve, i lagjeve, njësive administrative, i stafit, kolektivit, zgjedh t’i përkasë të gjithë qytetit. Valter më priste gjithmonë në një vend ku unë shkoja për një aktivitet protokollar. Valteri ishte ëikipedia e qytetit tonë. Nëse kishte një enciklopedi mobile që lëvizte në qytet me dy këmbë kudo dhe që unë mund ta ndukja pak me bërryl ishte Valteri. E kam ndjerë shumë këtë mungesë. Unë besoj që qyteti, polisi, agora përbëhet nga njerëzit. Unë kam parë shumë qytete pa Bulevard, kam parë qytete pa sheshe, pa pazar, por s’kam parë qytete pa njerëz dhe në themel të ndërtimit të qytetit janë njerëzit, por sidomos njerëzit që investohen aty ku qyteti formohet që është Bashkia dhe ata janë njerëz special,” u shpreh kryebashkiaku Erion Veliaj.
Kryetari i Bashkisë e ka konsideruar një nder për qytetin që emri i Valter Gjonit të kujtohet përmes një biblioteke. “Nëse kjo bibliotekë, si një nishan, apo akupunkturë si ato pineskat kineze që vërtet nuk masazhojnë gjithë trupin, por prekin një nerv me atë majën e gjilpërës do mbajë sot emrin e Valter Gjonit, mikut tonë, do jetë një kujtesë për Laprakën, një kujtesë për Tiranën që stuhia na nxori më të mirë se ç’na gjeti kur erdhi papritur, unë them që ia ka vlejtur,” tha ai, teksa kujtoi dhe një prej momenteve më të prekshme kur Valteri ishte akoma në jetë: “Kur Valteri botoi librin e fundit për 42 kryetarët e bashkive, i thoja, “ti ke kaluar kaq shumë kryetarë bashkie, unë jam i disati në radhë”. “Jo, jo, – tha, – me ty do e mbyll”. Por gjithmonë batuta nënkuptonte që do iknim të dy bashkë, nuk besoja që as ai, as unë jo e jo të nënkuptonte që ai do na linte,” kujtoi Veliaj.
Ndërsa Klevisi e kujton babin e tij si një njeri me këmbëngulje dhe vendosmëri për të ndryshuar gjithmonë e më shumë qytetin e tij.
“Babai im ka jetuar shumë jetë. Ju e njihni. Për mua sikurse dhe motrën time ka qenë babai, për mamanë time bashkudhëtari i 4 dekadave, me shumë të tjerë ka ndarë jetën e aktorit, regjisorit, gazetarit, publicistit, drejtorit të Kulturës, Protokollit, e me radhë. Gjithë këto jetë e kanë shoqëruar mes shumë cilësive dhe dy gjëra, një për të cilave dëshira për të bërë gjithmonë më shumë, për të tejkaluar,” u shpreh ai, duke rrëfyer dhe një “peng” të kohës kur babai ishte ende gjallë: “Mes shumë çështjesh që babi merrte përsipër ishte dhe ajo e emërtimit të rrugëve, institucioneve. Një pyetje, ama nuk ia bëra, ‘nëse një ditë do emërtonim diçka “Valter Gjoni”, çfarë do i pëlqente?’ Por di që, sido që të ishte, do i kishte pëlqyer shumë të ishte këtu mes librave, si në këtë bibliotekë, siç e kaloi jetën e vet”.
Valter Gjoni ka në biografinë e tij artistike 60 role në teatër dhe estradë, 8 role në kinematografi dhe 5 filma dokumentarë. Gjoni është autor i shumë artikujve kulturorë, informativ e historik në shtypin e shkruar dhe atë viziv. Nga viti 1991 e në vijim Valter Gjoni emërohet pranë Bashkisë së Tiranës, ku ka pasur një sërë detyrash, si drejtues i sektorëve që lidhen me artin, kulturën, ceremonialin e qytetit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Valter Gjoni mban disa tituj nderi të vendit dhe ndërkombëtare, ndër të cilët, titulli Kalorës i Urdhrit të Meritës së Republikë Franceze, Urdhri “Naim Frashëri” i Republikës së Shqipërisë dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”.
Diskutime rreth kësaj post