Thirrja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike duket se ka alarmuar ish-kryeministrin Sali Berisha. Në këtë mbledhje mund të diskutohet edhe për një qëndrim mbi shpalljen e tij “non grata” dhe për këtë arsye ish-lideri i PD ka nisur presionet përmes njerëzve pranë tij.
Ditën e djeshme ka reaguar ish-deputeti Astrit Veliaj, i cili njihet si njeri pranë Berishës. Veliaj u shpreh se PD është duke shfaqur një dyfytyrësi në qëndrimin e saj kundrejt ish-kryeministrit. Ai tha se ka ardhur koha që Basha t’u bëjë ballë sulmeve dhe t’i japë formë ngjarjeve para se të tjerët ta bëjnë. Sipas tij Berisha është një luftëtar, i cili nuk ka nevojë për mbrojtje, por PD duhet të reagojë si institucion politik pa marrë dobësitë e liderit të saj aktual.
“Udhëheqësi pa formë, pa shpirt e pa gjak, pa respekt ndaj njerëzve humbet mbështetjen e shoqërisë. Kjo dyfytyrësi po shfaqet edhe në qëndrimin që duhej mbajtur ndaj sulmeve kundrejt liderit historik të PD. Qullashët zihen ngushtë, luftëtarët dalin nga çdo situatë. Tani ka ardhur koha për përgjigje të qarta. Heshtja ngjall spekulimet. U duhet dalë ballë sulmeve, u duhet dhënë formë ngjarjeve përpara se të japin formë ato. Sali Berisha nuk ka nevojë ta mbrojë kush se është luftëtar i paepur për nderin dhe interesin publik, por PD duhet të tregojë se është institucion politik dhe nuk ka marrë dobësitë e administratorit të saj”, – u shpreh ai.
Ish-deputeti tha se Basha nuk mund të fshihet si një struc dhe partia duhet të mbrojë të shkuarën e saj. Sipas tij, rruga drejt pushtetit nuk mund të vijë nga ndërkombëtarët, por duke ruajtur vendosmërinë për të marrë qëndrime të forta.
“Lideri nuk mund të fshihet si struci. Partitë që nuk mbrojnë dot të shkuarën e tyre nuk do kenë kurrë një të ardhme. Rruga drejt pushtetit nuk kalon nga zyra ndërkombëtarësh, por nga zemrat e shqiptarëve dhe për këtë duhet vendosmëria për të mbajtur qëndrime të forta. Gjithkush duhet të jetë përgjegjës për atë që pretendon. Barra e provës i takon atij që deklaron. Kur akuzon duhet ta provosh, ndryshe humbet besimin për t’u marrë seriozisht”, – tha ai.
Reagon Kulluri
Nga ana tjetër edhe ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri pati një sërë kritikash për Bashën sa i përket qëndrimit ndaj Berishës. Kulluri tha se Basha nuk duhet të qëndronte në heshtje totale, por duhet të kishte mbajtur një qëndrim. Sipas tij, natyra frikacake e Bashës nuk e lejon atë që të godasë Berishën.
“Basha nuk është shquar ndonjëherë për kurajo politike dhe nuk do e bëjë. E patë që nuk ka reflektim dhe heshtje totale, Basha duhet të ishte shprehur. Ai ka kërkuar prova pse është vendosur në listën e zezë, por këtë ka frikë ta thotë edhe pse unë dyshoj se ai është një gënjeshtar, gënjen Berishën, qytetarët dhe amerikanët. Nuk është i aftë mendërisht që të godasë Berishën. Nëse do ishte një kryetar real i PD mund ta bënte, por të gjithë e dinë që Basha e ka të pamundur edhe për shkak të natyrës së tij frikacake”, – tha Kulluri.
Diskutime rreth kësaj post