Përveç ndryshimeve në qeveri, javën e ardhshme pritet të përmbyset edhe Kryesia e Partisë Socialiste. Paralajmërimin e ka dhënë vetë kryeministri Edi Rama dy ditë më parë gjatë takimit përmbyllës që zhvilloi me qeverinë aktuale në Kryeministri.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama theksoi se PS ka nevojë për një Kryesi të re dhe energjike, duke lënë të nënkuptohet se do të ketë furtunë largimesh edhe në radhët e saj.
“Fatmirësisht kemi një skuadër kampione ku ka shumë zgjedhje për çdo rol dhe kampionati 4-vjeçar që ka nisur të nesërmen e zgjedhjeve të fundit kërkon jo vetëm një formacion të mirë qeverisës, një kryesi të mirë të grupit parlamentar, apo një kryesi efektive të vetë partisë, por edhe një stol rezervash të gjatë, siç i thonë në sportet kolektive, për të pasur në vijimësi mundësi energjizimi të skuadrës”, – deklaroi ai.
Ja emrat që rrezikojnë të largohen nga Kryesia
Por ky paralajmërim i kryeministri Edi Rama tregon se do të kemi një furtunë në radhët e Kryesisë së Partisë Socialiste, teksa të parët që do të largohen janë ata që nuk do të jenë ministra, nuk u votuan dhe që ngelën jashtë listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.
Gazeta ka bërë një vëzhgim të situatës brenda PS dhe janë disa emra të njohur që rrezikojnë të largohen nga ofiqet partiake, sikundër është Kryesia dhe sekretariatet e Partisë Socialiste. I pari që pritet të bëhet “kurban”, pasi nga shtatori i këtij viti nuk do të jetë më edhe deputet, është ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Ish-ministri Bushati është pjesë e Kryesisë së PS, por duke qenë se nuk do jetë më deputet, ai pritet të largohet.
Ndërsa disa emra të tjetër që pritet të largohen nga Kryesia e Partisë Socialiste janë Vasilika Hysi dhe Eglantina Gjermeni, të cilat dhanë dorëheqjen, duke preferuar që të mos kandidonin në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Po ashtu, jashtë Kryesisë së PS pritet të mbetet edhe ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i cili nuk gëzon më poste të rëndësishme.
Nga ana tjetër, nga Kryesia e Partisë Socialiste pritet të largohet edhe kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, për shkak të përplasjeve të tij me deputetin e zgjedhur socialist, Petro Koçi, si dhe kreu i Parlamentit, Gramoz Ruçi, për shkak se u tërhoq nga politika. Sakaq edhe ish-nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj, pritet të largohet nga kryesia e PS, pasi ajo nuk ka më poste partiake siç është ministria apo të qenit deputete.
Ndërsa sa u takon sekretariateve, pritet që të ketë largime, ku emri i parë është ai i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili nuk u zgjodh dot deputet dhe mundet të largohet nga posti i Sekretarit për Koordinimin e Këshillave të Rajoneve, si dhe ish-ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, i cili ishte Sekretar për Rininë. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Diskutime rreth kësaj post