Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ditën e hënë pritet që të shkaktojë tërmet në radhët e partisë. Pasditen e 30 gushtit, do të mblidhet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, i cili do të bëjë të mundur konstituimin e strukturave të reja të partisë.
Përmes një njoftimi për mediat, Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi bën me dije se Këshilli do të nisë punimet në orën 18:00, ndërsa është përcaktuar edhe agjenda e diskutimit. Në rendin e ditës janë përcaktuar për t’u diskutuar, konstituimi i Këshillit të ri Kombëtar si edhe zgjedhja e Kryetarit të ri të Këshillit Kombëtar, duke bërë kështu të kuptohet se më zgjedhjen e kryetarit të ri të Këshillit do të largohet Bujar Nishani, i cili ka mbajtur deri më tani postin e kryetarit.
Po ashtu do të zgjidhen anëtarët e rinj të Kryesisë së partisë. Po ashtu një tjetër vendim që pritet të diskutohet është zgjidhja e Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve dhe sekretarëve, tashmë pa një numër limit, të cilët ndonëse do të votohen nga Këshilli Kombëtar, propozohen gjithashtu nga kryedemokrati Basha. Edhe kryetari i Komisionit të Apelimit, do të zgjidhet gjatë këtyre ditëve.
Ky komision, i cili aktualisht drejtohet nga Arben Ristani, i mbetur jashtë Këshillit Kombëtar, sipas propozimeve të Lulzim Bashës reformohet dhe bashkohet me atë të Etikës dhe Integritetit. Po ashtu, një tjetër pikë e rëndësishme në rendin e ditës është edhe përzgjedhja e Kryesisë së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Pritet vendim mbi fatin e Berishës
Ndërkohë, me shumë interes pritet nëse Partia Demokratike do të mbajë qëndrim publik lidhur me fatin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas burimeve, pritet që kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha para datës 9 shtator, pritet që të mbajë një qëndrim për ish-kryeministrin Berisha.
Partia Demokratike dhe kryetari i saj, Basha ndodhen para marrjes ose jo të një vendimi të rëndësishëm për të ardhmen e tyre: Të përjashtojnë apo ta mbajnë liderin e tyre historik Berisha në grupin e tyre të ri parlamentar? Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall “non grata” pak kohë më parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo e fundit kërkoi, që Partia Demokratike të distancohej nga ish-kryeministri Berisha.
SHBA e ka bërë të qartë që ish-kryeministri, Sali Berisha, të mos jetë pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike në Parlamentin e ri. Kërkesa erdhi pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për shpalljen e Berishës “non grata”, të cilit për shkak të akteve korruptive që cënojnë demokracinë në Shqipëri i ndalohet hyrja në territorin e SHBA. Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, i bëri presion Partisë Demokratike pak javë më parë që të përjashtojë ish-kryetarin e saj, Sali Berishën, nga deputetët e grupit të ri parlamentar, të dalë nga zgjedhjet parlamentare 2021.
Diskutime rreth kësaj post