Deputetët socialistë të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit kanë paralajmëruar se nuk do njohin asnjë akt bllokues nga presidenti Ilir Meta.
Ditët e fundit po qarkullojnë zëra se presidenti Meta do të hakmerret ndaj socialistëve, ku si kartë të fundit do të përdorë bllokimin e qeverisë së re “Rama 3”. Në korrik Meta u shkarkua nga Parlamenti dhe është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa shprehu rezerva për procesin zgjedhor të 25 prillit.
Atij fillimisht do t’i duhet të dekretojë datën e mbledhjes së Parlamentit të ri, ku në Kushtetutë thuhet qartë se kreu i shtetit e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur, jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Parlamentit paraardhës dhe jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati.
PS nuk do njohë asnjë akt bllokues nga Meta
Por në kushtet kur presidenti Ilir Meta refuzon të thërrasë mbledhjen e Kuvendit të ri dhe dekretimin e qeverisë së re, socialistë kanë paralajmëruar se nuk do të njohin asnjë akt bllokues nga kreu i shtetit. Ka qenë deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i cili gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, deklaroi dje se nëse presidenti Meta nuk zbaton në frymë dhe germë Kushtetutën, sipas tij, Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit do të mblidhet vetë.
Madje, zoti Koçi shtoi se ka rënë edhe alibia e Metës se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ishin jodemokratike, pasi tanimë ato janë certifikuar edhe nga ndërkombëtarët. “Kuvendi e ka detyrim kushtetues te vetëmblidhet në rast se Presidenti nuk i përgjigjet përcaktimeve kushtetuese. Zgjedhjet janë të certifikuara tashme, jo vetëm nga institucionet kombëtare, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Ilir Meta nuk ka asnjë alibi të mos ushtrojë thirrjen e Parlamentit të ri”, deklaroi Koçi.
Xhelili dhe Çela: Nëse Meta “lajthit”, hyn në lojë Parlamenti
Ndërkohë në të njëjtën linjë me zotin Koçi, është rreshtuar edhe deputeti tjetër i zgjedhur i PS për Qarkun e Durrësit, Alban Xhelili. Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, theksoi se presidentin Ilir Meta e detyron ligji të thërrasë Parlamentin e ri, ndërsa shtoi se nëse kreu i shtetit refuzon, atëherë sipas tij, Kuvendi i ri do të vetë mblidhet.
“Pavarësisht nga reagimi i presidentit, ky i fundit ka detyrim të thërrasë Parlamentin nga data 9-18 shtator. Nëse presidenti nuk e ushtron këtë të drejtë, patjetër që Parlamenti i ri do të mblidhet. Gjithsesi unë mendoj se presidenti nuk do vazhdojë ende të bëhet pengesë thjesht dhe vetëm për të qenë kundra”, – deklaroi ligjvënësi Xhelili.
Ndërsa deputeti i PS, Bujar Çela deklaroi gjatë një reagimi për gazetën “SOT” se presidenti Meta s’ka shanse të bllokojë qeverinë e re.
“Ish-presidentin Ilir Meta ne si Parti Socialiste nuk e njohim. Meta nuk e bllokon dot dekretimin e kryeministrit dhe qeverisë së re. S’ka shanse ta bllokojë, pasi ai është thjesht një president në detyrë që pret të shkarkohet përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese. Madje, përtej zërave se Ilir Meta do të bllokojë dekretimin e qeverisë së re, mendoj se ai do dekretojë me shumë qetësi dhe dashuri, qeverinë e re, ashtu siç e ka thënë vetë ish-presidenti”, – deklaroi Çela.
Diskutime rreth kësaj post