Në çeljen dje të kampit në Jalë të LSI-së, ra në sy mungesa e kryetares së kësaj partie, Monika Kryemadhit. Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi në një intervistë për Report, zbuloi sot se mungesa e Kryemadhit erdhi si pasojë e angazhimeve të saja dhe se ajo do të jetë prezente në ditët në vijim në kampin në Jalë.
“Kryemadhi do të jetë prezente në kamp dhe do ta keni komunikimin e saj në ditët në vijim, ajo është energji dhe motivimi për të rinjtë. Ka një angazhim tjetër por do të na bashkohet shumë shpejt në ditët në vijim, do të jetë këtu shumë shpejt”, – tha Kërpaçi.
Duke e cilësuar kampin e LRI në Jalë jo vetëm për argëtim, por si akademi verore për të rinjtë që duan të angazhohen në jetën shoqërore e politike, Kërpaçi foli edhe për analizën që ka bërë partia dhe do të vijojë të bëjë në mënyrë që të gjithë të reflektojnë dhe të përmirësojnë pritshmëritë e qytetarëve që ata përfaqësojnë. Ajo tha se brenda partisë do të mbahen zgjedhjet, edhe pse nuk dha një datë, ku do të përcaktohen edhe strukturat drejtuese të partisë.
“Kampi i Jalës është një traditë që LSI e zhvillon jo vetëm si një ambient për të kaluar mirë por si akademi verore për të ngritur grupe te reja për të rinjtë që kanë ambicien dhe vizionin për t’u angazhuar në Shqipëri. Kampi i Jalës është një mundësi e jashtëzakonshme pasi këtë vit kemi thërritur të gjitha ekipet drejtuese për të drejtuar axhendën vjetore të rinisë dhe hartimin e punës për të mbajtur të rinjtë në Shqipëri. Pas zgjedhjeve është e domosdoshme do të shkojmë në zgjedhje brenda partisë ku do të votohet për strukturat dhe për të përcaktuar drejtuesit e rinj. Ende nuk ka një datë për zgjedhjet në parti. Pas zgjedhjeve është shumë e rëndësishme analiza që është bërë dhe do të vazhdojë të bëhet në mënyrë që të reflektojmë dhe të përmirësohemi”, – tha ajo.
Diskutime rreth kësaj post