Nisja e sesionit të ri parlamentar është në duart e presidentit Ilir Meta. Javën që vjen, politika i rikthehet normalitetit dhe të gjithë sytë i kanë tek Parlamenti i ri.
Sipas Kushtetutës së vendit, thirrja e seancës së parë është në dorë të presidentit të vendit. Neni 67 i Kushtetutës, thotë se është presidenti, ai i cili përcakton një datë për mbledhjen e parë të Kuvendit, e cila duhet të zhvillohet jo para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Po ashtu, bëhet me dije se në rast se presidenti nuk e mbledh Kuvendin atëherë, ai duhet që të vetëmblidhet.
“Neni 67, 1. Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Kur Kuvendi paraardhës është shpërndarë para mbarimit të mandatit, Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e ri jo më vonë se 10 ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. 2. Në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi vetëmblidhet në ditën e dhjetë të afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni”, – thuhet në nenin 67.
Para 4 vitesh presidenti vendosi në fund të muajit gusht, mbi datën se kur do të zhvillohej sesioni i parë parlamentar dhe gjasat janë se presidenti Meta do të vendosë këtë javë për mbledhjen e parë të Kuvendit të ri. Kujtojmë se, Parlamentit i mbaron mandati në datën 9 shtator dhe zërat janë se kjo do të jetë edhe data kur do të zhvillohet seanca e parë.
Po ashtu, shanset që presidenti Meta mos të thërrasë seancën e parë janë të pakta, pasi mund të kemi një përplasje mes mazhorancës dhe presidentit. Por edhe nëse kjo ndodh, mazhoranca edhe pak kohë më parë paralajmëroi se nëse Meta nuk do të vendosë një datë atëherë, do të jetë mazhoranca ajo e cila do të vendosë vetë. Ishte kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, ai i cili pak kohë më parë u shpreh se është presidenti Ilir Meta që duhet të mbledhë seancën e parë. Sipas tij, nëse Meta nuk e bën, atëherë këtë do ta bëjë mazhoranca.
“Puna jonë në marrëdhënie me Ilir Metën mbyllet këtu. Në shtator Parlamentin duhet ta mbledhë Presidenti dhe nëse nuk e mbledh ai ka të drejtë të vetëmblidhet brenda 10 ditëve”, – tha ai.
Përplasjet mes mazhorancës dhe presidentit
Por, ajo që mbetet për t’u parë në shtator është nëse presidenti Ilir Meta do të dekretojë ministrat e rinj dhe kryeministrin Edi Rama, apo do të bllokojë krijimin e qeverisë së re. Së pari Meta duhet të mandatojë Ramën për formimin e qeverisë dhe më pas duhet të dekretojë kabinetin e ri qeveritar. Duke qenë se Meta është shkarkuar nga Parlamenti, nuk përjashtohen surprizat dhe në korridoret e politikës flitet se Meta mund të bllokojë qeverinë e re. Kushtetuta është evazive në këtë aspekt, pasi nuk ka afate.
Gjykata Kushtetuese po ashtu mori një vendim shumë të interpretueshëm, sa i takon dekretimit të ministrave, pasi secila palë e gjen veten. Kushtetuesja i njeh të drejtën presidentit që mund të refuzojë ministra, por nga ana tjetër vendos dhe kushte. Pra secila palë mund ta interpretojë sipas qejfit këtë vendim dhe në këtë mënyrë gjasat që të kemi një konflikt Rama-Meta për qeverinë e re janë shumë të mëdha.
Diskutime rreth kësaj post