Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se 11,000 persona janë evakuuar nga Kabuli gjatë fundjavës dhe është zotuar që t’iu ndihmojë të gjithë amerikanëve që duan të largohen nga Afganistani.
Nga 14 gushti, ai ka thënë se nga ky vend janë nxjerrë 28,000 persona.
Biden ka thënë të dielën se prioriteti i tij fillestar është largimi i shtetasve amerikanë nga Afganistani, “sa më shpejt që është e mundur”.
“Ne jemi duke punuar shumë dhe sa më shpejt që mundemi për të nxjerrë njerëzit. Ky është misioni ynë. Ky është qëllimi ynë”, ka thënë Biden para gazetarëve.
Presidenti amerikan kanë thënë po ashtu se ka aktivizuar flotën ajrore të ofruar nga kompanitë ajrore komerciale, për të ndihmuar në bartjen e refugjatëve.
Biden ka thënë se ende shpreson që të finalizohet evakuimi dramatik nga Afganistani deri më 31 gusht, mirëpo e ka lënë mundësinë e hapur për zgjatje të afatit të fundit, nëse është nevoja.
Përmes adresimit televiziv nga Shtëpia e Bardhë, Biden ka thënë se “shpresa është që nuk duhet zgjatur” afati i fundit.
Mirëpo ai ka shtuar se “do të shohim çfarë do të bëhet” nëse do t’i kërkohet nga liderët e huaj që të ndërrohet data e afatit të fundit.
Më 22 gusht është raportuar për shtatë persona të vdekur në turmat e krijuara jashtë Aeroportit të Kabulit, derisa njerëzit kanë tentuar të ikin nga regjimi i talibanëve në Afganistan.
Militantët talibanë është raportuar se kanë krijuar pika kontrolli në perimetrin afër aeroportit dhe janë duke bllokuar afganët pa dokumente udhëtimi që të hyjnë në atë zonë.
Megjithatë, presidenti Biden ka thënë se forcat amerikane kanë zgjeruar zonën që konsiderohet e sigurt afër Aeroportit të Kabulit.
Rreth 4,500 trupa amerikane janë duke kontrolluar përkohësisht Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai në kryeqytetin afgan.
Biden ka mbrojtur vendimin e tij për tërheqje të trupave amerikane nga Afganistani – vendim që është kritikuar pas dorëzimit të forcave afgane të sigurisë dhe pushtimit të talibanëve.
Ai ka thënë se amerikanët do ta kuptojnë se vendimi ka qenë “absolutisht korrekt”.
“Mendoj se historia do të tregojë se ky ka qenë vendim logjik, racional dhe i duhur”, ka thënë mes tjerash Biden.
Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.
Diskutime rreth kësaj post