Ish-kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli me anë të një analize të gjatë e ka lidhur çështjen e Afganistanit me vendin tonë.
Kadilli shprehet se vetë ne jemi Afganistani pasi në 30 vite institucionet vetëm kanë dështuar e kanë qenë të korruptuara. Sipas tij fajtor për këtë është vetë populli i cili u jep pushtetin liderëve ndërkohë që ata zhvillojnë zgjedhje të korruptuara duke i shërbyer vetëm vetes.
“Ne jemi Afganistan për vete. Në 30 vjet ne kemi të njëjtat dështime me institucionet. Në 30 vjet shqiptarët vazhdojnë të rendin drejt aeroporteve dhe kufijve, njësoj si afganët. Në 30 vjet, shqiptarët rreshtohen si tifozë pas lidershipit, pas zotave të partive tona. Zgjedhjet e korruptuara, institucionet e korruptuara. Prej monopolizimit të pushtetit politik, fillimisht në partitë politike dhe mandej në qeveri.
Politika e korruptuar prej kohësh i shërben vetëm vetes. Por, njësoj si në Afganistan, drama jonë ndodh edhe nga raporti oportunist i qytetarit me zotat e lojës politike që i përkëdhelim duke i quajtur “lider”. Jemi ne, brenda apo jashtë partive politike që ua dorëzojmë lehtësisht dhe me gëzim vullnetin tonë politik “liderëve” partiak. Jemi ne që votojmë kriminelë. Jemi ne që votojmë dhe rivotojmë politikanë të korruptuar”, – tha ai.
Kadilli tha se Afganistani është mësimi që duhet të nxjerrë populli. Ai tha se duhet të marrë fund, mbështetja ndaj liderëve të korruptuar. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të ruhet demokracia.
“Njerëzit e thjeshtë, për të justifikuar oportunizmin vrasës, presin drejtësinë të na e bëjnë amerikanët. Ekonominë të na e rregullojnë europianët. Afganistani është mësimi që duhet të nxjerrim për vete. Qytetarë të thjeshtë apo individë të angazhuar, t’i japim fund mbështetjes për “lider” të korruptuar. Të mos e zbusim këtë gjykim nga që mund të jetë “lideri” jonë. Të mbrojmë demokracinë brenda partive tona”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post