Analisti Fatos Lubonja dje komentoi ardhjen e afganëve në vend dhe reagimet e politikanëve lidhur me këtë çështje. Lubonja u shpreh se leksioni për shqiptarët është përkushtimi ndaj demokracisë.
Ai u ndal tek reagimi i kreut të PD, Lulzim Basha për të cilin u shpreh se mbështeti plotësisht vendimin e kryeministrit Edi Rama pa e menduar aspak sesi mendojnë shqiptarët lidhur me këtë çështje. Sipas tij, Basha shpërfilli opinionet e tjera duke i thënë me vrap “po” Amerikës pa e ditur se edhe ajo mund të dështojë.
“Leksioni për amerikanët është ai se demokracia nuk eksportohet. Po leksioni për shqiptarët cili do të ishte? I njëjti do të thosha unë: përkushtimi ndaj demokracisë, që do të thotë e kundërta e reagimit të liderit të opozitës, Lulzim Basha, në këtë rast. Pse? Sepse në prononcimin e tij ai mbështeti plotësisht vendimin e Edi Ramës pa trajtuar fare disa pyetje që ngrenë shqiptarët e thjeshtë, të cilat kanë të bëjnë sa me akuzat që opozita shqiptare ka ngritur ndaj Ramës autoritar e të korruptuar, aq edhe me disa shqetësime të tyre mbi lajmin në fjalë. Dhe që të dyja këto janë të lidhura ngushtë me demokracinë që edhe Basha e shpërfilli në emër të sundimit të shqiptarëve nëpërmjet amerikanëve, pa menduar asnjë çast se edhe këta mund të dështojnë”, – u shpreh ai.
Lubonja tha se vendi ynë meriton një shpjegim lidhur me shqetësimet që mund të ndodhin nga ardhja e afganëve. Sipas tij, reagimi i Bashës tregon qartë se po të ishte kryeministër do të vepronte njësoj si Rama apo edhe ish-kryeministri Sali Berisha duke i thënë “po” SHBA-së pa ia ditur për shqiptarët.
“Meqenëse më herët në histori kemi shpëtuar Europën, hebrenjtë, s’ka se si të mos e bëjmë edhe këtë sakrificë sublime për afganët, po a nuk e meritonim sqarimin e disa pyetjeve dhe shqetësimeve. Ajo që reflektoi reagimi i shpejtë i Lulzim Bashës ishte se edhe ai do të sillej njëlloj si Rama në karrigen e Kryeministrit, ashtu siç ka bërë edhe Sali Berisha para tij e se mezi paskësh pritur t’u thoshte “Po” amerikanëve, se sa për shqiptarët nuk e ka problem”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post