Bashkia e Korçës është e vendosur të mirëpresë këngëtarin serb Goran Bregoviç në Festën e Birrës që do të zhvillohet në datat 18-22 gusht në këtë qytet.
Pavarësisht argumenteve që kanë thënë me zë të lartë analistë, politikanë e qytetarë, pavarësisht qëndrimit kundër deri edhe nga artistët pjesëmarrës të ftuar për të interpretuar dhe bojkotit të disave prej tyre, Bashkia e Korçës ka dalë me një deklaratë ku vazhdon të këmbëngulë në qëndrimin e saj pro-Bregoviçit dhe këngëve të tij.
Deklarata e Bashkisë:
“Po afrohen ditët e Festës së Birrës në Korçë, – thuhet ndër të tjera në deklaratën e Bashkisë, – ditët e gjallërisë, gëzimit dhe rekordit të vizitorëve që zgjedhin të shijojnë magjinë e Korçës dhe festën. Ka 15 vite që Festa e Birrës tejmbush hotelet, baret, restorantet, rrugicat e bulevardet e Korçës duke u bërë promotori i një filozofie të tërë zhvillimi për turizmin dhe ekonominë lokale që nisi nga Korça e u hap me shpejtësi në gjithë Shqipërinë…
…Përpjekjet e ditëve të fundit për të dëmtuar imazhin e Korçës dhe korçarëve janë thjesht pjesë e një skenari që nxit përçarje e konflikt, për të trazuar ujërat e për të nxehur gjakrat me të pabëra e të pathëna.
Korçarët nuk janë të pandjeshëm ndaj dhimbjes e vuajtjeve të mëdha të njerëzve të gjakut e kombit të tyre! Përkundrazi! Korça dhe korçarët thjesht po refuzojnë me dinjitet e mençuri të bien në gracken e instrumentalizimit politik të një feste ku në vite kanë kënduar këngëtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Greqia, Hollanda, Suedia, Anglia, Italia, Franca, SHBA dhe tani po vjen të këndojë edhe një këngëtar serbo-kroat i lindur në Bosnjë. E ka mirëpritur çdo cep i botës, muzikantin ballkanas që ka kapërcyer prej vitesh kufijtë e Ballkanit, e ka mirëpritur edhe Tirana në 2006,” vijon deklarata e bashkisë.
Diskutime rreth kësaj post