Babai i Britney Spears ra dakord të japë dorëheqjen si kujdestar i pasurisë së vajzës së tij, pas shumë kohësh që ylli i pop-it luftonte për ta hequr nga kujdestaria. Edhe pse ai argumentoi se nuk kishte arsye reale për pezullimin ose heqjen e tij nga kujdestaria e së bijës, Jamie Spears pranoi në gjykatë se do të tërhiqej.
“Pra, edhe pse ai duhet ta kundërshtojë këtë peticion të pajustifikuar për largimin e tij, z. Spears synon të punojë me gjykatën dhe avokatin e ri të vajzës së tij për t’u përgatitur për një kalim të rregullt në një kujdestar të ri,” –thuhej mes të tjerash në dokumentin e paraqitur në gjykatë.
Jamie Spears ka kontrolluar të gjitha çështjet e vajzës së tij që kur ajo pati probleme të shëndetit mendor në vitin 2008. Megjithatë, Britney i tha gjykatës në qershor se babai i saj donte ta kontrollonte atë, duke dhënë detaje sesi ajo ishte droguar, detyruar të merrte kontraceptivë për të mos bërë fëmijë të tjerë dhe ishte detyruar të punonte kundër vullnetit të saj, sipas marrëveshjes së kujdestarisë.
Avokati i këngëtares, Matheë Rosengart, argumentoi se jo vetëm që Britney kishte kërkuar në mënyrë të përsëritur që babai i saj të largohej nga pozicioni – dhe madje të arrestohej për abuzim me pozicionin e kujdestarit – por edhe se mjekët e Britney-t, e ëma Lynne Spears dhe kujdestarja personale Jodi Montgomery, treguan mbështetje për largimin e James.
“Ne jemi të kënaqur që z. Spears dhe avokati i tij kanë pranuar sot se ai duhet të hiqet,” tha Rosengart në një deklaratë dje. “Kjo është një fitore e madhe për Britney Spears dhe një hap tjetër drejt drejtësisë.”
Në paraqitjen e tij të enjten, Jamie iu referua edhe nënës së Britney-t, Lynne, duke thënë se çdo deklaratë që ajo bëri në emër të vajzës së tyre duhet të vihet në pikëpyetje bazuar në sa pak përfshirje ka pasur ajo në jetën e Britney-t gjatë 13 viteve të fundit.
Ai gjithashtu pohoi se nëse publiku do t’i dinte të gjitha detajet e jetës së Britney-t, të gjitha problemet e varësisë dhe të shëndetit mendor me të cilat ajo ka luftuar, dhe të gjitha sfidat e tij si kujdestar, ata do ta lavdëronin atë në vend që ta fyenin.
Diskutime rreth kësaj post