Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE kanë dalë në mbështetje të idesë për Ballkanin e Hapur. Ditët e fundit ka patur një debat të gjerë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, ku një pjesë janë pro kësaj nisme e disa të tjerë kundër. Emra si Sali Berisha, Ramush Haradinaj, Albin Kurti kanë qenë kundër, po ashtu ka patur dhe plot të tjerë që e kanë akuzuar kryeministrin Edi Rama për tradhti. Skandali është se kryeministri i Kosovës ka hedhur në kosh paktin e arritur në Uashington mes SHBA dhe Kosovës, ku Kosova binte dakord që të ishte pjesë e Shengenit Ballkanik. Një ndër pikat e marrëveshjes së firmosur nga Avdullah Hoti dhe Donald Trump ishte pikërisht kjo, por duket se Kurti tani nuk e pranon këtë pakt.
Megjithatë, dje për këtë çështje ka reaguar Departamenti Amerikan i Shtetit. Një prej zëdhënësve të Departamentit ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht vijimin e përpjekjeve në Ballkanin Perëndimor për të thelluar dhe forcuar integrimin gjithëpërfshirës rajonal, në bazë të rregullave dhe standardeve të BE-së. Sa i përket faktit se vende si Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja Hercegovina janë kundër kësaj nisme, DASH shprehet se duhen reduktuar barrierat dhe duhet bërë ajo çka është më e mirë për qytetarët. Sipas DASH, ndërtimi i një tregu të përbashkët rajonal përveçse lëvizjes së lirë të mallrave, njerëzve e shërbimeve në të njëjtën kohë do të tërhiqte edhe më shumë investime apo energji për një rritje ekonomike.
“Ne inkurajojmë udhëheqësit rajonal të kërkojnë mundësitë e reduktimit të barrierave tregtare, rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike dhe të ndërtojnë në mënyrë të integruar rajonale dhe estetike ekonomitë që u shërbejnë qytetarëve të tyre. Duke krijuar “Common Regional Market”, një treg të përbashkët Rajonal të atillë që siguron lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve, kjo është esenciale për të tërhequr investime dhe energji për rritje ekonomike”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të DASH.
Pas mbështetjes nga Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Europian i ka dalë në krah nismës së Ballkanit të Hapur. Zëdhënësja e Komisionit Europian, Anna Pisonero deklaroi se Bashkimi Europian i mirëpret angazhimet për bashkëpunimin rajonal. Ajo tha se një proces i tillë që përfshin gjithë Ballkanin Perëndimor është i rëndësishëm dhe thelbësor. Sipas saj kjo nismë duhet të përparojë në mënyrë që të krijohet Tregu i Përbashkët Rajonal.
“Ne i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ne e kuptojmë dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që e përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar”, deklaroi zëdhënësja.
Diskutime rreth kësaj post