Deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste, Petro Koçi iu është rikthyer denoncimeve, akuzave dhe mesazheve në adresë të administratës shtetërore. Më 16 korrik, Petro Koçi akuzoi institucionet e qarkut të Fierit si të lidhura me krimin, ku fliste për tendera publikë në qarkun e Fierit që fitohen nga trafikantët e drogës. Por edhe pse nuk e tha me emër, i vetmi institucion që jep tendera në nivel lokal, është bashkia e drejtuar nga Armando Subashi. Ky i fundit, në një prononcim për mediat mohoi që Bashkia Fier të ishte vënë nën hetim nga SPAK, duke ia hedhur fajin mediave, që sipas tij kishin spekuluar me deklarata e Koçit.
Por dje deputeti Koçi ka bërë një deklaratë të fortë, teksa në një postim në rrjetet e tij sociale u shpreh se ka ardhur koha që partia, pra PS-ja, të mbahet larg nga duart e “Maliqëve” të administratës. Sipas zotit Koçi, administrata dhe shumë agjenci shtetëror, reaguan politikisht kundër tij, madje dhe bënë përpjekje për përçarje në marrëdhëniet organizative në Partinë Socialiste.
“Ta heqim partinë nga duart e “Maliqëve” të administratës. Jemi në prag të investimit të tretë të energjisë politike dhe njerëzore të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Një përgjegjësi madhore kombëtare, shtetërore dhe morale qeverisëse. Një nga sfidat e këtij mandati të ri është performanca e administratës dhe bashkë me të, lufta ndaj korrupsionit. Para më pak se një muaji i dhashë zë politik një fenomeni prepotent në Fier, zgjatjes së duarve të botës së krimit në financat publike. Bëra një deklaratë të cilës nuk i heq asnjë presje. Hodha në publik një britmë të vetë publikut. Palët nga nxitimi nxorën në shesh një serë aferash me interes për agjencitë e zbatimit të ligjit. Edhe për vete SPAK-un me të cilin pata nderin të kontaktoj. Çuditërisht, administrata e shumë agjencive shtetërorë që veprojnë në Fier, reagoi politikisht kundër këtij denoncimi. U bënë përpjekje që të futej në krizë marrëdhënia organizative në PS”, shkruan ai.
Më tej deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste, Petro Koçi theksoi se pavarësisht denoncimeve dhe përpjekje nga ana e tij, fenomeni i përfshirjes së botës së krimit në administratë dhe “gllabërimi” i financave publike ende vazhdon.
“Fenomeni që denoncova nuk po frenohet akoma. Përkundrazi. Por gjithsesi nuk ka vend për pesimizëm. Mandati i tretë nuk ka filluar. Por ka vend për të identifikuar fenomene, të cilat duan analizë. Kur fillova detyrën e Kryetarit të PS në Fier e vendosa administratën kundër. Edhe pse një pjesë e saj ishte brenda strukturës drejtuese të partisë. E dija që do kisha kosto. Bile u çudita që arrita të marr aq vota si individ në zgjedhje. Kisha ushtrinë e administratës kundër. Prisja shumë më pak vota. Por kjo i dha shpresë njerëzve se diçka po ndryshonte. U krijua besimi se niveli i shërbimeve do vinte në lartësinë e moralit të ligjit, larg kthetrave të Maliqit”, nënvizoi deputeti i zgjedhur i PS, Petro Koçi.
Diskutime rreth kësaj post