Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka rrëzuar me dhjetëra raporte të ILDKP dhe DSIK, për pasurinë dhe figurën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët dolën para vetingut. Që në shkurt të 2018, kur vetingu nisi nga puna, e deri në fund të viti të shkuar ka pasur shumë raste ku trupa e KPK nuk ka qenë dakord me vlerësimin e bërë nga institucionet hetuese mbi disa gjyqtarë dhe prokurorë. Nga të dhënat e publikuara nga KPK për këtë periudhë, evidentohet se ka pasur shumë përplasje me institucionet e hetuese, pasi komisioni i vetingut ka nxjerrë më shumë probleme në figurë dhe pasuri se sa kanë raportuar ILDKP apo DSIK. Konkretisht, nga periudha 2018-2020 KPK ka rrëzuar 192 vendime të ILDKP, pasi nga analizat e bëra vetë ka konstatuar mos përputhje të rezultateve mbi pasurinë dhe figurën e subjekteve krahasuar me të dhënat e institucionit hetimor.
“Sipas raporteve të ILDKPKI-së për 192 subjekte rivlerësimi, kanë rezultuar pa probleme me pasurinë 125 subjekte rivlerësimi dhe me probleme 67 prej tyre, ndërkohë që hetimi i kryer nga Komisioni ka dhënë rezultate të tjera: kanë rezultuar 87 subjekte pa probleme me pasurinë dhe 105 subjekte me probleme”, thuhet në raportin e KPK.
Probleme të tilla në verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, KPK ka evidentuar edhe tek 160 raportet e dorëzuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Në këtë rast, KPK ka evidentuat me probleme në pasuri dhe figurë më pak gjyqtarë dhe prokurorë nga sa ka raportuar DSIK. “Nga raportet e DSIK-së për 160 subjekte rivlerësimi, kanë rezultuar të papërshtatshëm për vijimin e detyrës 33 subjekte rivlerësimi, ndërkohë që nga hetimi i Komisionit rezultuan me probleme 21 prej tyre”, raporton KPK.
Por përveç përplasjeve me DSIK dhe ILDKP, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka pasur përplasje dhe me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Sipas të dhënave të publikuara, deri në prill të viti 2020 janë dërguar në apel 51 ankimime për vendimet e KPK, nga të cilat KPA ka rrëzuar 15 prej tyre ndërsa pjesën tjetër të vendimeve e ka kaluar pa asnjë ndryshim nga versioni fillestar.
“Pasqyrohet vendimmarrja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pas ankimimit të vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, deri më 30 prill 2020, ka marrë 51 vendime nga të cilat: 33 lënie në fuqi të vendimeve të Komisionit; 15 ndryshim vendimi”, thuhet në raport.
Sakaq, KPK sqaron se nga 15 vendimet e rrëzuara nga KPA, 13 prej tyre janë ndryshuar tërësisht, ndërsa në 2 të tjera janë bërë vetëm disa ndryshime.
“2 vendime të ndryshuara pjesërisht (subjektet M. Fana, A. Llalla) dhe 13 vendime të ndryshuara plotësisht (për subjektet B. Dedja, A. Sevdari, A. Faqolli, E.Islamaj, A.Brati, V.Bala, Xh.Zaganjori, G.Osmani, A. Malaj, B. Muçi, B. Cani, A. Dollapaj, A. Kosova) ; c 1 prishje të vendimit (për subjektin A. Lazaj) ; 2 pushim të shqyrtimit (për subjektin S. Tola dhe subjektin M. Xhaferllar”, thuhet në raportin e publikuara nga KPK. Por nëse shohim dhe vendimet që janë marrë në pjesën e dytë të 2020 dhe gjatë vitit 2021, shkojmë diku tek mbi 20 vendime të ndryshuara.
Diskutime rreth kësaj post