Ditën e djeshme, Maqedonia e Verit ka shënuar 20 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Në kujtim të kësaj dite, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka kujtuar periudhën e nënshkrimit të Marrëveshjes, ku edhe bëri me dije se në tavolinë kanë qenë disa opsione, midis tyre edhe ndarja e shtetit.
“Kaluam vështirësi nga më të mëdhatë, por vështirësia më e madhe që mendoj se do të ishte tragjike edhe për shqiptarët, edhe për maqedonasit, do të ishte ndarja e këtij shteti. Tjetër është çfarë thuhet pas 20 vjetësh, por para 20 vjetësh edhe ky opsion ka qenë në tryezë. Unë do të jem mirënjohës ndaj NATO-s, Uashingtonit, Brukselit, që ne gjetëm përkrahjen e fortë kundër këtij opsioni tragjik me pasoja shumë të mëdha për qytetarët tanë”, është shprehur Ahmeti.
Ndërkohë BDI me anë të një deklarate për mediat, është deklaruar në lidhje me qëndrimin e ASH – AAA dhe Opozitares OBRM-PDUKM, për të mos qenë pjesë e veprimtarive të organizuara në lidhje me 20 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes.
“OBRM-PDUKM nuk duhet të harrojë se janë pjesë e përpilimit dhe nënshkrimit të kësaj marrëveshje dhe nënshkrimi i tyre figuron aty. Kjo marrëveshje i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe ikja nga përgjegjësia dhe mospjesëmarrja në manifestimin jubilar është thjeshtë dyfytyrësi politike dhe me këtë OBRM-PDUKM dëshmon se janë parti që ende punon në politika me linjë një etnike. OBRM-PDUKM dhe kreu i saj Hristijan Mickoski, duhet të jenë të vetëdijshëm dhe mos harrojnë që Maqedonia e Veriut është shtet anëtarë i NATO-s dhe nuk duhet devijuar nga politikat eurointegruese”, thonë nga BDI.
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, në konferencën mbi 20 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, i bëri thirrje Bullgarisë të heqë bllokadën në rrugën e integrimit evropian të vendit.
“Kur Bullgaria kërkoi anëtarësimin në BE dhe NATO, ata kishin miq të mirë tek unë dhe në selinë e NATO -s. Bullgaria si fqinje kishte një përfitim të madh nga kjo Marrëveshje e Ohrit. Nëse konflikti do të kishte vazhduar në mënyrën tradicionale siç përfundon në Ballkan, Bullgaria do t’i kishte ndjerë ato valë dhe do t’i ndiente edhe sot e kësaj dite.BE-ja e sotme përbëhet nga vende që kanë qenë armiqësore për vite e shekuj”, tha ai.
Zoti Robertson, vlerësoi se një nga arritjet e epokës është fakti që këto armiq tashmë ulen së bashku në këtë bashkim të jashtëzakonshëm të vendeve të lira dhe të integruara.
“Maqedonia meriton të jetë atje dhe shpresoj që Bullgaria të dëgjojë kërkesat unanime të miqve të tyre dhe të heqë bllokadën ndaj Maqedonisë”, deklaroi Robertson.
Ndërkohë edhe ish-përfaqësuesi i lartë i BE -së, Havier Solana ka folur në lidhje me integrimin evropian të Maqedonisë në këtë ditë të shënuar. Solana tha se është i bindur që shumë shpejt, Shkupi do t’i nisë bisedimet për anëtarësim në BE.
“Keni pasur shumë vështirësi në udhëtimin tuaj. Keni pasur vështirësi me zgjidhjen e emrit tuaj. Ju keni pasur probleme me gjuhën tuaj, e cila gjithashtu është zgjidhur, dhe pas marrëveshjes me NATO–n, jam i sigurt që së shpejti do të keni mundësinë për të filluar bisedimet zyrtare me Bashkimin Evropian”, deklaroi ai.
Në veprimtaritë e zhvilluara në nder të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Kryeministri Zoran Zaev, deklaroi se kjo marrëveshje hodhi themelet mbi të cilat sipas tij, kjo qeveri e formuar në vitin 2017 ndërton shoqërinë e përbashkët, një dhe të barabartë, duke përfshirë respektimin e barabartë të të gjitha identiteteve etnike dhe interesave të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Maqedoni.
“Pas Ohrit, vendi ynë po ndërton politika të pjekura, dhe në vend të konflikteve ne po flasim për përparimin ekonomik në vendin tonë dhe promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, dhe së bashku me fqinjët tanë ne po krijojmë një Ballkan të Hapur. Pas Ohrit, të gjithë së bashku, pavarësisht nga përkatësia jonë etnike, kombëtare, fetare, sociale dhe kulturore, ne kemi ndërtuar një shoqëri të barabartë ku të gjithë mund të gjejnë prosperitet dhe një të ardhme më të mirë. Më vjen mirë që pas 20 vitesh po diskutojmë të gjitha këto përfitime. Një nga përfitimet më të rëndësishme është se përmes dialogut ne organizojmë jetën tonë, së bashku të përkushtuar ndaj secilit individ, familje dhe qytetar”, tha Zaev.
Diskutime rreth kësaj post