Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka vijuar të shprehë konsideratat e tij ndaj ish-kryeministrin Sali Berisha. I pyetur nëse Berisha duhet të jetë pjesë e Parlamentit ose jo në shtator, Shehu u shpreh se ai e ka legjitimitetin nga vota për të qenë pjesë e Partisë Demokratike si dhe pjesë e Parlamentit.
“Këtë diskutim s’e bëjmë për një sekondë. Unë kam shprehur konsideratat e mia për Berishën. Ai e ka legjitimitetin nga vota e shqiptarëve për të qenë pjesë e Parlamentit dhe e PD”, u shpreh Shehu.
Po ashtu ai komentoi edhe nismën e Ballkanit të Hapur ku nuk munguan akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama. Ai u shpreh se autokracia e Ramës është e papranueshme dhe drejtohet më shumë ndaj lindjes jo perëndimit. Shehu tha se ky është një show i rrezikshëm pasi duhet që vendet të njohin njëri-tjetrin. Sipas tij, iniciatori nuk duhet të jetë Vuçiç por Brukseli.
“Këtu po bëhen lojëra fjalësh. Kosova po zëvendësohet me Shqipërinë, në Jugosllavinë e re. Ky regjim në Shqipëri, nuk do integrimin Evropian, Rama s’e do. Pse? Sepse për BE, autokracia është e papranueshme. Ky regjim e sheh veten në Lindje, ku është familja e autokratëve. Pra, ky regjim e sheh me alergji BE-në, ndaj gjen forma të tjera për të shkuar në Lindje. E para kjo është një show i rrezikshëm. Që të bashkohen bashkë, duhet që shtetet të njohin njëri-tjetrin. Serbia duhet të njohë Kosovën që të jenë bashkë në nismë. E para është njohja reciproke e vendeve, e dyta nuk është ajo trio sekt mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë. Një projekt i tillë duhet zhvilluar nga lidershipi i Brukselit. Rama nuk e ka fytyrën nga BE, por nga Lindja. Shqipëria është në një udhëkryq për historinë e saj, do të shkojë në Perëndim apo Lindje. Por sipas meje, Shqipëria do të shkojë në Lindje, por ne s’duhet ta pranojmë këtë gjë”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post