Muaji gusht do të mbyllet me temperatura të larta. Për të gjithë ata që kanë planifikuar të pushojnë në gjysmën e dytë të muajit gusht, metereologët njoftojnë se temperaturat do të vijojnë të jenë të larta, ndonëse do të ketë një rënie të lehtë. Meteorologu Hakil Osmani për ABC ka sjellë parashikimin e motit për pjesën e mbetur të gushtit.
“Pas datës 17 presim një 2-3 ditësh që do të sjellë një rënie të vlerave termike, por 10 ditët e fundit të muajit gusht sërish do të kemi temperatura të larta.”-tha ai.
Dy do të jenë qytetet më të nxehta në ditët e ardhshme.
“Maksimumi mbetet në vlerat 38 gradë Celsius në qarqet e Beratit dhe të Elbasanit.”-tha ai.
Temperaturat do të jenë të larta në bregdet, teksa në veri të vendit mund të ketë edhe reshje të pakta shiu.
“Në zonat bregdetare pritet që maksimumet të luhaten nga 35-36 gradë Celsius. Në zonat malore pritet që termometri të mos ngrihet më shumë se 34 gradë Celsius. Përjashtim bën Kukësi.”-u shpreh ai.
I gjithë muaji gusht është shoqëruar me temperatura të larta, me termometrin që ka shënuar edhe shifra mbi 44 gradë Celsius.
Diskutime rreth kësaj post