Banorët fshatit Lumas i janë drejtuar edhe sot Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku kanë kallëzuar penalisht për “shpërdorim detyre” kryeinspektor pranë IKMT Tiranë, Albert Zybeja.
Kallëzimi penal i banorëve të Lumasit u krye mesditën e sotme, pas takimit që një përfaqësi e banorëve kreu me kryeinspektorin Zybeja ku mësuan se nuk është marrë prej tij vendimi për pezullimin e punimeve në kanionin e Sinecit pas akt-konstatimit të shkeljeve nga IKMT Elbasan. Në kallëzimin penal të firmosur sërish nga 123 banorët e Lumasit kërkohet ndjekje penale për “shpërdorim detyre” për Kryeinspektor pranë IKMT Tiranë, Albert Zybeja, i cili duke mos marrë asnjë masë po lejon që të vazhdohet të punohet dhe të dëmtohet Kanioni i Sinecit në mënyrë kriminale, e cila është Zonë e Mbrojtur.
Sipas banorëve-duke qenë se Kryeinspektori i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, pas u njoh me relacionin e shkeljeve ligjore të konstatuara nga 3 inspektorët e IKMT-së Elbasan, duhet të vazhdonte procedurat e mëtejshme ligjore duke marrë masa të menjëhershme për pezullimin e punimeve në burimin e Sinecit dhe gjobitjen e firmës Salillari që ka shkatërruar dhe po shkatërron Monumentin e natyrës Kanionin e Sinecit.
Në kallëzimin penal të 123 banorëve të Lumasit thuhet se kyeinspektori Zybeja jo vetëm që nuk ka vijuar me procedurat e mëtejshme ligjore por po mundohet të zhbëjë procesverabalin e mbajtur nga ana e 3 inspektoreve të IMT Elbasan, me qëllimin e vetëm të mbrojtjes së kryebashkiakut të Kuçovës Kreshnik Hajdari, i cili ka lejuar të ndërtohet në një zonë të mbrojtur pa marrë më parë edhe leje as nga Baseni Ujor Shkumbin Seman.
Në kallzimin penal thuhet se,nga ana e këtij kryeinspektori, jo vetëm që nuk është vijuar me procedurat e mëtejshme ligjore por ai po mundohet të manipulojë provat duke ngritur një tjetër grup pune me qëllimin e vetëm të manipulimit të provave për fshehje të fakteve dhe provave, të cilat dëshmojnë qartë se në burimin e Sinecit po ndërtohet në mënyrë kriminale.
Pak ditë më parë, pas inspektimit të kryer nga IMT Elbasan, u konstatua se në zonën e Sinecit janë kryer shkelje të rënda. Kanë qenë 3 inspektorët e IKMT-së Elbasan: Klajdi Merxhani, Aranit Çela dhe Ardian Lufo ata që kanë mbajtur edhe proces-verbalin e konstatimit të kundravajtjes, proces-verbal i mbajtur në datën 05.08.2021.
Inspektorët ushtruan kontroll në bashkinë Kuçovë dhe në kantierin e ndërtimit në Kanionin e Sinecit (monument natyre) dhe konstatuar kundravajtjet ligjore: marrja pa leje administrative e ujit, mospajisje me autorizim, veprimtari që kryhen në kundërshtim të mbrojtjes së brigjeve dhe ndërtimin e objekteve për shfrytëzimin e burimeve.
Edhe Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, Zyra e Administrimit të Basenit Ujor Shkumbin-Seman, ka bërë me dije sot nëpërmjet një shkrese zyrtare se, bashkia Kuçovë nuk është e pajisur me leje përdorimi të burimit ujorë për të cilin bëhet fjalë nga organet e menaxhimit të burimeve ujore.
Diskutime rreth kësaj post