Kancelarja gjermane Angela Merkel do të vizitojë Moskën të premten (20 gusht) dhe më pas Ukrainën të dielën (22 gusht), sipas një njoftimi të zëdhënësit të saj Stefan Seibert.
“Ne do të japim detaje për orarin e takimeve në fillim të javës tjetër,” – u tha ai gazetarëve.
Vizita vjen disa javë para zgjedhjeve parlamentare të Gjermanisë që do të mbahen me 26 shtator, pas të cilave Merkel do të japë dorëheqjen pas 16 vitesh në pushtet. Vizita e fundit e Kancelares në Moskë ka qenë në janar të vitit 2020 para pandemisë së Covid-19.
Ndërkohë, marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë të tensionuara pas një sërë ngjarjesh, nga forcimi i trupave rusë në kufi me Ukrainën deri te një sërë skandalesh spiunazhi dhe helmimi i kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny, i cili u shtrua në një spital në Berlin.
Gjermania është një nga mbështetësit kryesorë të Ukrainës në krizën midis saj dhe Rusisë, e cila filloi pas aneksimit të Krimesë në 2014 dhe një luftë me separatistët pro-rusë në lindje, ku humbën jetën 13,000 persona.
Vizita e Merkel synon gjithashtu të sigurojë Kievin për ndërtimin e tubacionit Nord Stream 2, sipas një zëdhënësi të Ukrainës.
Diskutime rreth kësaj post