Akademiku i njohur Artan Fuga ka treguar punën e parë që ka bërë pasi u diplomua për filozofi. Ai tha se nga maja e filozofisë në mendjen e një studenti ka punuar në një fabrikë çimentoje me tre turne.
Fuga këshillon që pas diplomimit mos kërkojmë të bëheni menjëherë drejtora.
Postimi i Artan Fugës
“Puna ime e parë pas u diplomova për filozofi, ishte në shkollën e mesme teknologjike pa shkëputje nga puna “Josif Pashko”, ose shkolla e natës, siç thuhej atëhere, e fabrikës së çimentos!
Kujtime e atyre tre viteve, mes punëtorëve 18 – 20 vjeçarë, ca më të mëdhenj në moshë edhe se unë në atë kohë, janë të paharruara, të kolegëve gjithashtu. Mes tymit dhe grimcave të çimentos njoha njerëz të mrekullueshëm që punonin në qiell të hapur me tre turne në beton, cimento, hekurkthim, etj.
Shpirtra të pastër plot.
Nga maja e filozofisë në mendjen e një studenti drejt e përplasur kokën në çimenton me tre turne! Cfarë goditjeje!
Por, çfarë përvoje se!
Prandaj u them studentëve gjithmonë:
Pas diplomimit mos kërkoni të bëheni menjëherë drejtora, akademikë, profesora, ministra, niseni nga puna e parë që ju propozohet, pa përtim dhe tangërllik.
Bëjeni me qejf atë sado e hidhur dhe e padenjë, ose e thjeshtë që ta quani, ose sado fisnike që të duket, sepse puna është gjithmonë nder.
Mos prisni t’ju trokasin te dera dhe t’ju thonë : Ju lutem hajdeni se kemi një punë pëllumbash për ju! Shkoni trokisni ju!
Kur shkoni për punë mos thoni : Me bëj nder, më merr në punë, se u dogjët, por shkoni me mendjen të thoni: Unë jam i vlefshëm për ju sepse këtë punë e bëj shumë mirë dhe ti ke interes të më provosh.
Ju them kurrë mos punoni vetëm për lekë sepse do të dështoni, por punoni edhe për të investuar moralisht, intelektualisht për më pas, nëse doni të ecni!
Këto quaj parime bazë të fillimit të karrierës!” – shkruan Artan Fuga
Diskutime rreth kësaj post