Gazetari dhe analisti Frrok Çupi, në një intervistë për gazetën “Sot” ka komentuar aktualitetin politik në vend. Duke u ndalur te përplasjet e ish-kryeministrit Berisha me SHBA, Çupi shprehet i bindur se ai nuk do futet në Parlament.
Por sipas tij, ish-kryeministri ka nisur të hedhë shumë para dhe të krijojë grupe për të shkaktuar trazira në vjeshtë. Lidhur me presidentin ai tha se ai do shkarkohet dhe do dalë para drejtësisë, pasi pasuria është elementi që e dëmton më shumë. Gazetari ka folur dhe për situatën në PS, në PD dhe qeverinë e re.
-Zoti Çupi, në vend duket sikur ka rënë qetësia politike, por në shtator nis punën Parlamenti i ri. PD e LSI do rikthen në Kuvend. Si e shihni ju situani politike në sesionin ri parlamentar?
Shtatori nuk është vetëm shtator; me ‘shtator’ nënkuptojmë edhe tetorin, nëntorin e muaj të tjerë. Ka nisur një epokë për ne shqiptarët; ose të themi se nuk ka nisur si e re, por një epokë e kthyer për së mbari. Si të thuash, ‘epokë’ si kapaku i pusetës. Prej 3 dekadash, pasi ndërruam ‘kapakun’ e regjimit të diktaturës komuniste, kishim menduar se krijuam epokë të re; por në fakt jo. Kapaku që mbuloi tërë periudhën pas viteve ’90, ishte thjesht në kapak i vënë keq dhe jo një ‘epokë e re’.
Poshtë asaj mbuloje të keqe gëlonte erë e keqe dhe zvarranikë të helmuar. Ja ku jemi sot: Me dëme aq të mëdha ose edhe më tragjike se dëmet që shkaktoi diktatura: Njerëz të vrarë, njerëz të vjedhur, njerëz të rrënuar nga ‘drejtësia’, prona të groposura, atdheu i shëmtuar, kombi i vënë në konflikt, njeriu i nxjerrë sysh dhe i pa shpresë… Kështu do të kishim humbur gjithë rrugës, me këngë në gojë për ‘epokën e re’, por të verbuar si ‘Homerë’ të së keqes. Për fat populli ynë kishte Amerikën në krah. Vetë ne nuk kishim për t’u çliruar kurrë nga dhuna e tanëve… Kjo do të thotë ‘shtator i ri’. Në shtator do të ndodhin gjëra shumë të thjeshta: Amerika nuk do të lejojë Berishën- fajtorin dhe prijësin e krimit të këtyre tre dekadave, që të hyjë në Parlament. Deri diku kjo bën punë. Po i këpute kokën krimit, atëherë pjesët e tjera janë më të buta. Megjithëse nuk duhet ta marrim lehtë: Besojeni, këta kanë një ushtri terrori pas tyre, kanë edhe shumë para, kanë plane që të na hedhin në gropën e pusetës. Shtatori nuk do t’i zgjidhë të gjitha gjërat, por do të nisë t’i montojë së mbari.
-Parlamenti i vjetër shkarkoi presidentin nga detyra, por Kushtetuesja ende nuk ka vendosur për këtë çështje, çka do të thotë se në shtator qeveria aktuale është e detyruar të betohet te Meta. Mendoni se presidenti do të krijojë pengesa duke mos dekretuar qeverinë e re?
Shteti, juridikisht, ecën mbi shinat e ligjit themeltar të tij; ndërsa moralisht ecën mbi vullnetin dhe shpirtin e kombit. Kushtetuta ka platformën e saj, ka burimet e saj që garantojnë jetën e shtetit. Ku është presidenti në këtë peizazh?… Askund!, as sa një thërrime nuk duket presidenti. Atëherë si mund ta ndalojë këtë fuqi qytetarie shtetërore?! Tani Shqipëria është një problem perëndimor dhe amerikan më shumë se sa ka qenë kurrë në historinë e vet.
Këtu është zbuluar krimi më i madh i shekullit, me sa duket qartë; dhe në krye të krimit janë Berisha e Meta. Shkulja e këtij krimi nga rrënjët ku ndodhet është një çështje tashmë e SHBA. Është lufta kundër një krimi të shumëfishtë: Kundër njerëzimit, kundër lirisë dhe të drejtës së kombit e individit, krim financiar, korrupsion, vjedhje, larje parash… E atëherë, si u bëka kjo ëndrra e lehtë që ‘Meta pengon krijimin e qeverisë’ në një vend ku Amerika ndodhet këtu e po shkul krimin si patate mali, dhe pjesë e krimit është vetë Meta?!
-Duke qëndruar te kjo çështje, mendoni se Kushtetuesja do aprovojë shkarkimin e presidentit? Dhe në gjykimin tuaj, a shkeli Meta Kushtetutën me sjelljet gjatë fushatës zgjedhore? (Thirrjet për të rrëmbyer sfurqet, sulmet ndaj qeverisë etj.)
Para të gjithave, të bëjmë pyetjen: ‘Po ça është ky presidenti ynë?”. Kam dëgjuar te njerëzit që thonë ‘me t’ardh turp!’. Kur një parlament nuk është në gjendje që të zëvendësojë këtë lloj presidenti brenda 24 orësh, kjo do të thotë se vetë Demokracia ka defekte. Kemi një demokraci që jo gjithnjë funksionon. Të bësh pyetjen tjetër se ‘ça ishte ajo forcë e mbrapshtë që emëroi këtë president?’, përsëri duket e frikshme. Parlamenti është ngarkuar me mbajtjen e sovranitetit të popullit, por papritur një çiban del aty në fushë e thotë ‘jam unë sovraniteti’. Ky është një president si asnjë tjetër në botën e qytetëruar.
Ky e ka perceptuar shtetin si një gurore; të gjithë gurët i ka ky në prehër dhe përballë ka ligjet, etikën, moralin, popullin, mendimtarët, artistët, qeverinë. Ky gjuan kundër të gjithëve me gurët që ka grumbulluar e mban në prehër…. Ja ky është shteti për presidentin Ilir Meta. Por le te mos jemi kaq naivë: Pse Meta u tregua ‘si budalla!?’. Edhe ky është një mision i tij me të cilin mbulon të vërtetën tjetër. Bashkë me Berishën, sa ishin në krye të shtetit, kanë shkëmbyer replika të tmerrshme ku shfaqen krimet e përbashkëta dhe veç e veç. Ndërkohë ka mijëra fakte se si kanë groposur jetën e vendit dhe kanë ngritur antenat që të ankorohen diku në Rusi ose në Bahrein. … Ja, këtë do të fshehë Meta duke ulur veshët këto kohë.
-Sido që të vejë puna e Metës, vitin që vjen ai largohet nga Presidenca dhe do të jetë një person pa imunitet politik. Sa i rrezikuar është Meta nga drejtësia e re?
Sa i rrezikuar është presidenti pasi largohet nga zyra? Disa presidentë dënohen pas vdekjes, ndërsa disa të tjerë dënohen sa janë në jetë. Për shembull, Stalini është dënuar pas vdekjes; edhe Enver Hoxha… Po flas për këta që kemi rrotull. Ndërsa Millosheviçi i Serbisë dhe Berisha në Shqipëri, po e shikojnë fundin sa janë gjallë… Edhe Meta, po kështu. Ilir Meta do të rrezikohet aq sa krime ka bërë dhe aq sa pasuri ka vënë nga prona publike. Mbaj mend se aty nga viti 2012 na priti në vilën e tij në Lalëz bashkë me Francessco Becchettin, që tani e quajnë të ‘Tv Agon’. Na shfaqi një vilë mahnitëse, pa fund.
Pak ditë më vonë, Becchetti i dërgoi Sonila Mecen për të bërë një reportazh alias ‘El Chapo’, dhe Monika shfaqi gjithë madhështinë e vilës me 12 banja- siç hyri në folkun mbi mafien… Ndërsa tani po duan ta fshehin reportazhin, ta shesin vilën, të shesin pasuritë që kanë nëpër botë, të thonë se ‘miliona dollarë na i la nëna shitëse qepësh’, etj. Po, vallë, a fshihen këto? Ka nisur punë SPAK, dhe këtë të hënë nisi edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, e iniciuar nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveria e vendit. Ndërsa largimi i Ilir Metës nga zyra e presidentit nuk është më një emergjencë. Presidenti është tashmë i rrethuar, i izoluar, nuk mund të bëjë asgjë në të keqe të vendit.
-Një ngjarje tjetër që ka shkaktuar reagime, është shpallja e ish-kryeministrit Berisha person “non grata” nga SHBA. A ishte ky një vendim i pritshëm në gjykimin tuaj?
Ky nuk është një vendim i pritshëm, natyrisht. Nuk është vendim i pritshëm për qytetarët shqiptarë; ndërsa për Shtetet e Bashkuara është një veprim në vijën e vet strategjike kundër korrupsionit dhe krimit shtetëror në vendet aleate. Si mund të ishte vendim i pritshëm për shqiptarët rrëzimi i Berishës, përderisa ky lider i ashpër i kishte shtënë frikën njeriut në epokë lirie?! A ishte i pritshëm rrëzimi i diktaturës komuniste deri ditën kur procesi i rrëzimit erdhi si zinxhir në Evropën komuniste? As vdekja e diktatorit (që ndodhi në vitin 1985) nuk mendohej se mund të ndodhte; kaq frikë kishte njeriu në mendje… Kështu janë popujt e frikësuar prej dhunës së liderit të ashpër. Ky është një komb që ka vuajtur shumë nga të vetët. Të vetët- si Berisha- e kanë vrarë, e kanë qarë, e kanë ndotur, e kanë vjedhur, e kanë shëmtuar… Nuk di ç’dreq ndodh… Berisha, krijesa më mizore e historisë së re, që bën gjithçka, u kujdes që të krijonte figurën e një njeriu ‘të ndershëm’. Sot e kësaj dite ke mijëra budallenj që e besojnë këtë… Po të mos kishim aleat Shtetet e Bashkuara, as që mund të mendohej se mund të shpëtonim… Por ja që e kemi këtë fat.
-Berisha pretendon se dosja kundër tij është bërë nga Rama e Soros mbi lajme të rreme. Si e shihni qëndrimin e tij përballë SHBA? Ndërkohë që ka dorëzuar dhe një padi ndaj Sekretarit Blinken.
Janë grahmat e fundit të kësaj qenieje politike, sigurisht, dhe kjo është arsyeja e këtyre ‘shpikjeve’ alias injorante. Nuk them ‘fundi’, siç ka mallkimtarë që sulen kundër jetës së tjetrit. Sa për këtë, do të mbaja anën e Aishe Haklaj, motra e katër vëllezërve Haklaj të vrarë; dhe e bijë e Muharrem Haklaj. E di si e uron bija e Haklaj në çdo ditëlindje Sali Berishën?: “Të rrosh sa më gjatë o Sali Berisha!- i shkruan- Që të shikosh sa më gjatë ç’të zeza kreve dhe të ndjesh ndëshkimin për krimet dhe të këqijat që ke bërë”.
Ja, në këtë pozitë ndodhet tani Berisha. Sa ishte në pushtet dhe sa ndodhet përballë ndëshkimit, Berisha ka rrojtur në makth, si Makbethi; me kamën e gjakosur në dorë. Amerika nuk po lufton Sali Berishën. Vetë Berisha dhe ithtarët e tij po e thonë kështu, sepse duan ta tregojnë heroin e tyre si ‘bajloz’ që fiton kundër fuqisë më të madhe të botës. Jo, Amerika është në rrugën e saj për çlirimin e popujve të dhunuar nga tiranë. Amerika po vëzhgon prej 30 vjetësh çfarë po bën Berisha në këtë vend. Ky që u vendos në krye të pushtetit post- komunist, në rrethana shumë të errëta e të dyshimta, ky e minoi demokracinë në vendin tonë. Populli u mashtrua prej tij, tragjikisht: Popullit iu tha se po bëhej demokraci, në fakt po bëhej kaos e baltë sundimi. Në vend që të niste epoka e demokracisë dhe ligjit, Berisha zgjatoi stilin komunist të qeverimit. Ai përdori të njëjtat mënyra si edhe Enver Hoxha:
1. Marrjen dhe mbajtjen e pushtetit e bazoi mbi dhunën. Luftë civile, grushte shteti, vrasje protestuesish, rrënim i pluralizmit parlamentare…
2. Eliminimin e kundërshtarëve, rrënimin e vlerave intelektuale, përjashtime dhe eliminime të themeluesve të Partisë Demokratike.
3. Katapultime në PD të atyre që nuk kishin as kontribute, as ide, as vullnet demokratik, duke u nisur që nga vetja. Ai erdhi në Lëvizjen Demokratike si i dërguar i Partisë Komuniste dhe zuri kreun. Këtu solli ish komunistë të vijës së ashpër, ish funksionarë të lartë të Partisë Komuniste e Komitetit Qendror, shefa të Sigurimit të Shtetit, spiunë dhe xhelatë.
4. Berisha, duke pasur pushtet të pakontrolluar, shkatërroi Drejtësinë dhe e vuri nën këmbët e tij e të familjes. Rrënoi të drejtën e individit, duke nisur që nga themeli. Vodhi pronën dhe kursimet e qytetarëve, duke përdorur mjete të mafies së vjetër, që nga skemat piramidale e deri te kërcënimet.
… Ky është Sali Berisha, armiku i kombit të vet, jo armik thjesht i Amerikës.
-Mendoni se SHBA do e mbyllë me kaq “luftën” me Berishën, apo ish-kryeministri duhet të trembet nga drejtësia e re? (21 Janari dhe Gërdeci janë rihapur nga prokuroria) …
Berisha ka fundin e dhunuesve të mëdhenj të njerëzve; e këta përfundojnë në burgje, në Hagë, në burgjet federale, në mallkime, në harresa, në përqeshje…. Por kjo nuk është gjithë vlera. Vlera është të kuptojmë se nuk është vetëm Berisha krimineli i madh; ai sigurisht ka vrarë, ka vjedhur, ka poshtëruar viktimat e veta, ka banalizuar kombin, ka mbytur në fyt demokracinë si një mace të tij, ka zgjatur jetën e diktaturës dhe ka mbytur shpresa, ka eliminuar aktorë dhe autorë të demokracisë, ka përçarë kombin…. Por edhe ne, njerëzit që na dhunoi, kemi fajin. A na vrau deri në vitin 1997? 3000 vetë u zhdukën atë vit. Me avionë e sulmoi popullin e Jugut, sidomos Vlorën. 6000 ushtarë ndërkombëtarë u detyruan të zbarkojnë në Shqipëri për të ruajtur paqen mes nesh. Në 17 milionë lek (të vjetra) e la rezervën në thesarin e shtetit… Po prapë e çuan në krye të shtetit. E prapë vrau e prapë vodhi… Po atëherë?! Atëherë cili është dënimi? Është si dënimi që iu dha Herostratit. Herostratit ka qenë zjarrvënës i Athinës së Lashtë. Në fund dogji edhe tempullin e Artemisës… Atëherë Athina vendosi që Herostratit zjarrvënës të mos i përmendej më emri… A prapë përmendet Berisha?
-Në PD kanë nisur të dalin disa emra kundër Berishës. Përmendim këtu zotin Mark Marku. A po tenton Basha të distancohet nga Berisha dhe si e shihni këmbënguljen e ish-kryeministrit për të mos lënë mandatin e deputetit?
Partia Demokratike është një tokë e helmuar ku nuk mbin më bar i shëndetshëm. Çdo thërrime në PD është ndotje nga Berisha. E ç’mund të jetë Basha? Veçse një njeri që rron aty për të mbuluar krimet e Berishës plus të tijat!
-Kryeministri Edi Rama disa herë i ka shtrirë Lulzim Bashës dorën e bashkëpunimit. Në korridoret e politikës flitet se mund të kemi një bashkëqeverisje PD-PS. Sa gjasa ka të ndodhë një gjë e tillë?
Bëhet fjalë për grupin parlamentar të Partisë Demokratike, ky ka fuqi ligjore për shtetin. Kombi ka hyrë në procese të mëdha, procesi i europianizimit, procesi kundër pandëshkueshmërisë, procesi i Drejtësisë së munguar që nga ‘kodet e Hamurabit’; procesi i stabilitetit rajonal, procesi përsosjes së marrëdhënieve individ- shtet, etj. Kjo është fusha e bashkëpunimit, në emër të interesave të kombit. Kjo kërkohet, që të lihet pas ‘Berisha’ me konflikte e piskama, dhe të punojmë së bashku për kombin. Por jo qeveri e përbashkët, siç po thonë disa që nuk kuptojnë si funksionon shteti modern.
-Po situatën në PS si e shihni. Duket sikur dhe aty ka fërkime. Petro Koçi ka hedhur akuza në drejtim të Bashkisë së Fierit. Ka gjasë që dhe në PS të kemi fraksione?
Partia Socialiste është një rast interesant, qoftë edhe për studime politike. Është pasardhëse direkte e Partisë Komuniste, por mund ta konsiderosh si organizmin më jo- komunist në politikën tonë. Nga një parti e vjetër, u rinovua me njerëz të edukuar mirë, me norma demokratike, me shije perëndimore. Shikohet edhe si i vetmi organizëm me sens të mirë shtet-formues. Le të kthehemi edhe idesë pluraliste: PPSH ishte shkëmbi diktatorial kundër pluralizmit politik, por PS në vitin 1992 u kthye në promotor të pluralizmit; socialistët votuan për ndryshimin politik. Prandaj fitoi Partia Demokratike në 22 mars 1992 dhe humbi në korrik po të vitit 1992.
-Në shtator do votohet qeveria e re. Mendoni se ka ardhur koha që Rama të fusë emra të rinj në kabinet?
Në çdo kohë është koha për emra të rinj dhe stil të ri dhe energji të reja. Aq më tepër kësaj here. Vetë Rama është një personalitet që e ka vënë veten mbi shinat e ndryshimit; ai nuk rron dot pa ndryshuar.
-Si e shihni ecurinë e drejtësisë së re. Ka shumë që thonë se nuk po shkon atje ku duhet. Ju mendoni se do kemi politikanë në bankën e të akuzuarve?
Drejtësia e Re është e sulmuara për vdekje e atyre që vodhën, vranë, shpifën, mashtruan dhe ndalën rrotën e historisë së këtij vendi. Këta janë në radhë për në dyert e Drejtësisë së re. Në krye janë Berisha dhe Meta. A do ta vrasin Drejtësinë e re? Edhe mund të ndodhë, këta kanë shpresë. Këta po bëjnë gati terror kundër Drejtësisë së Re; kanë bërë gati edhe shumë para të vjedhura, edhe shumë paramilitarë të paguar… Prandaj thonë se ‘do të luftojnë përballë Amerikës’.
Diskutime rreth kësaj post