Akademiku Artan Fuga ka komentuar zhvillimet e fundit në vend duke u ndalur tek nisma “Open Balkan” dhe qëndrimet e kundërta mes Shqipërisë e Kosovës.
Në një intervistë në rubrikën ‘Opinion”, Fuga u shpreh se nuk ka asgjë shqetësuese në qëndrimet e kundërta mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe atij kosovar, Albin Kurti.
Më tej Fuga u ndal dhe tek debati për ftesën e Bashkisë së Korçës ndaj këngëtarit serb Bregovic.
“Së pari, kjo ka rritur reputacionin e festivalit të Birrës dhe më vjen mirë, sepse Birra Korça më pëlqen shumë, ka cilësi shumë të mirë, në përgjithësi birra shqiptare.
Së dyti, protesta mbeti te ish-deputeti Jenishehri dhe Gjuzi.
Së treti, media në verë ka nevojë për një kalë që t’i hipë, sepse zhvillimet politike kanë mbaruar. Është gjëja më normale në botë të vijë një këngëtar. Ju jeni shumë të rinj, por ne dikur dëgjonim vetëm muzikë jugosllave. Nëse këngëtari serb ka aktivitet anti-shqiptar, unë as vizën për të hyrë nuk i jepja. Por nëse ai nuk e ka një aktivitet të tillë, le të vijnë sa të duan këngëtarë serbë në Shqipëri, të shkojnë sa të duan këngëtarë shqiptarë atje. Shkëmbimet kulturore janë të tilla që në të gjitha kombet, ku kanë dalë e ku duan të ndërtojnë një botë të re për brezat që vijnë, janë të parat që ndodhin.
I gjithë ky debat po bëhet se është çik verë, me diçka do të merren. Për mua është një problem kalimtar. Rrjetet sociale janë sikur diskutojmë në kafene, që e lëshojmë pak veten. Nuk shikoj asnjë problem. Është shumë mirë që ai erdhi, shumë mirë që ndodh ky debati, sepse shoqëria emancipohet. Por kjo nuk do të thotë që të ndryshojë gjeopolitika e jashtme e Shqipërisë”, u shpreh Fuga.
Diskutime rreth kësaj post