Senati amerikan votoi këtë të martë me 69 vota pro dhe 30 kundër projektligjin dypartiak mbi infrastrukturën me një vlerë prej 1.2 trilion dollarësh.
Paketa përfshin rreth 550 miliardë dollarë që do të përdoren në shpenzime të reja, për ndërtimin e rrugëve, sistemeve ujore dhe përmirësimin në internet me shpejtësi të lartë, si dhe projekte të tjera të mëdha.
Votimi i së martës vjen pas një serë negociatash të gjera mes një grupi ligjvënësish demokratë e republikanë.
Por sidoqoftë ka nga ata ligjvënës në të dyja krahët që e kundërshtojnë projektligjin. Disa demokratë thonë se ai nuk shkon aq larg sa të plotësojë nevojat e vendit, ndërsa ka republikanë të cilët kundërshtojnë koston financiare të tij.
Nënkryetarja Kamala Harris, e cila kryesoi votimin në Senat, u tha gazetarëve:
“Është një ditë shumë e mirë. Të pavarur, demokratë, republikanë që mblidhen së bashku, duke kuptuar se ne mund të punojmë së bashku në interesin më të mirë të gjithë amerikanëve “.
Ndërsa senatori republikan Rob Portman, i cili është përfshirë në negociatat dypalëshe, e quajti paketën “më të madhen në historinë e vendit”.
“Pas disa dekadash mosveprimi, ne më në fund do të ofrojmë një infrastrukturë të sigurt, të besueshme e moderne, për të cilën ekonomia jonë dhe vendi ynë kanë kaq shumë nevojë”., tha ai.
Diskutime rreth kësaj post