Në 9 shtator, Parlamenti do të nisë legjislaturën e re e cila do të sjellë mjaft risi. Përveç rikthimit të Partisë Demokratike në Parlament, interesante është se do të ketë mjaft prurje të reja, por me një përvojë të gjatë në politikë.
Sipas një studimi të bërë nga stafi monitorues i Institutit të Studimeve Politike, në total 18 deputetë janë mbi moshën 60 vjeç, shumica prej tyre kanë një përvojë të gjatë parlamentare. Ndërkohë që vetëm dy deputetë do të jenë nën moshën 30 vjeç dhe të dy janë prurje të reja politike.
Sipas Rregullores së Kuvendit, deputeti në moshën më të madhe drejton seancën e parë plenare në fillimin e legjislaturës. Aktualisht, sipas të dhënave të përpunuara nga stafi monitorues i Institutit të Studimeve Politike, nga deputetët e zgjedhur Luljeta Bozdo, pritet të jetë deputetja në moshën më të madhe (datëlindja 1942), e ndjekur më pas nga ish-kryeministri Sali Berisha (datëlindja 1944).
Ja deputetët më të vjetër në politikë
Deputetët si Sali Berisha, Tritan Shehu, Dashamir Shehi, Fatmir Xhafaj, Fadil Nasufi dhe Ismet Beqiraj kanë 30 vjet në politikën shqiptare. Ndërsa deputetët Baftjar Zeqo, Petro Koci dhe Edmond Spaho kanë 28 vjet në politikë. Nga ana tjetër kryeministri Rama i përket ditëlindjes 1964 dhe është në politikë që prej vitit 1999 pra 20 vjet. Ndërsa kreu i Partisë Demokratike, i përket ditëlindjes 1974 dhe është aktiv në politikë që prej vitit 2005.
Sipas ISP në praktikat e studimeve parlamentare gjithnjë mosha personale lidhet me moshën politike dhe me kontributin e secilit politikan gjatë karrierës së tij. Parë në këtë prizëm, ekspertët e ISP vlerësojnë se shumica e veteranëve të parlamentit të ri janë prurje të fillimeve e disa kanë mbajtur poste të larta politike edhe në 1990-1991, deri në kryetarë partish, disa drejtues të partive në rrethet e tyre, ndërkohë që dy prej prurjeve kanë përvojë minimale politike.
Sipas studimit, referuar kontributit profesional, secila parti ka vlerësime të larta për deputetët e saj, përfshirë militantët mbështetës, por në një lexim neutral e profesional të bilancit të tranzicionit, pothuajse të gjithë emrat kanë të përbashkët “meritën” se nuk kanë arritur të lënë gjurmë pozitive në historinë e tranzicionit, nuk kanë iniciuar ligje të rëndësishme apo procese reformash serioze, si dhe nuk kanë demonstruar maturi, transparencë dhe llogaridhënie politike gjatë viteve apo dekadave në karrierë.
ISP thotë se një pjesë e tyre ishin krijues e drejtues të sistemit të politik, për pasojë, edhe përfituesit kryesor të privilegjeve të tij, një pjesë vijon të mbijetojë për shkak të besnikërisë e shërbimeve ndaj liderit politik, kurse një pjesë tjetër shpreh deformimet aksidentale të përfaqësimit gjatë tranzicionit, për shkak të CV të tyre problematike në qeverisjen lokale, qendrore apo në partitë e tyre politike.
Diskutime rreth kësaj post