Analisti Mustafa Nano është shprehur se kosovarët e fituan luftën me Serbinë dhe si rrjedhojë ata nuk kanë asnjë arsye pse të mbeten në grackën e së shkuarës, duke kërkuar që artisti Goran Bregovic të mos këndojë në një koncert në Shqipëri.
Pjesë nga intervista në MCN Tv
Zoti Nano, ju kishit bërë një shënim në Facebook mbi debatin që ka nisur për shkak të vizitës së Goran Bregoviçit në Korçë. Ç’mund të na thoni diçka më tepër?
-Më shumë sesa debat, është një histeri që ka plasur në rrjetet sociale, dhe që është iniciuar nga disa këngëtarë të muzikës Rap e nga tifozët Kuq e Zi.
Mjafton vetëm kaq për ta injoruar këtë histeri. Sepse nuk mund të tërhiqemi zvarrë në një debat nga rapper-ë të pashkollë e të pagdhendur.
Mirëpo, gjëja mori përmasa të mëdha. E në këtë kuptim, nuk munda t’i rezistoja ngasjes për ta thënë timen.
Dhe e juaja është….
-E imja është ajo që kam shprehur në atë shënim të shkurtër.
Nuk ka asnjë arsye në botë që Bregoviçi të pengohet të vijë për një koncert në Shqipëri. Dhe e bukura është se sa më shumë thuhet që Bregoviçit nuk i është regjistruar asnjë bëmë antishqiptare, aq më i madh është harbimi kundër tij.
Ec e mere vesh këtë punë. Dhe ndërkohë që bëjnë këtë, bëjnë sikur harrojnë se tregu kosovar është i përmbytur nga mallrat serbe.
Dhe se plazhet e Shqipërisë së jugut janë mbushur me serbë e kosovarë që janë duke u shullëhur në diell bythë më bythë me njëri-tjetrin.
Pse këngëtarët shqiptarë nuk ftohen në Beograd, atëherë?
-Nuk është e vërtetë që nuk janë ftuar këngëtarë shqiptarë. Inva Mula ka kënduar në Beograd.
Dhe është pritur nga Vuçiçi, në zyrën e këtij të fundit. Duhet të mos shkonte Inva në Beograd të këndonte?
Apo duhet të mos i shkonte Vuçiçit në takim, në mënyrë që ta mbante muhabetin mirë me rapper-at tanë e me gardianët e patriotizmit vulgar shqiptar?
Janë shqiptarët e Kosovës që ndihen më së shumti të lënduar…
-Shikoni, së pari me këtë termin “shqiptarët e Kosovës” abuzohet shumë. Nuk janë shqiptarët e Kosovës.
Janë një pakicë e zhurmshme, asgjë më tepër. Të shumtë e kosovarëve as që duan t’ia dinë nëse Bregoviçi vjen apo ikën nga Shqipëria.
Pastaj, edhe sikur të ishte e vërtetë që të gjithë shqiptarët e Kosovës nuk i mirëpresin vizita të tilla serbësh në Shqipëri, duhet të bëhen të gjallë disa vetë për t’u thënë se nuk mund të rrinë me mendjen e kthyer pas në kohë.
Kosova ka vuajtur, por më në fund “yjet” punuan për të. Kosova është e lirë sot.
Dhe kosovarët nuk mund të sillen sikur kanë humbur. Në gjithë këtë histori që u finalizua me një luftë të Perëndimit me Serbinë ka vetëm një fitues.
Dhe ky fitues janë kosovarët.
Unë nuk e kuptoj se si fituesit e një lufte mund të këmbëngulin kaq fort të mbeten në kurthin e historisë.
Unë nuk njoh ndonjë fitues tjetër në histori që të jetë sjellë kështu.
Ok, dhembja e shumë njerëzve është e madhe, sakrificat kanë qenë të mëdha, serbët kanë bërë krime çnjerëzore kundër shqiptarëve në Kosovë, por le t’i marrim këto si çmimin e fitores. Dhe nuk është një fitore dosido, një fitore momentale. Jo, është një fitore që ka ndodhur një herë e mirë.
E prandaj, nuk kanë arsye ta mbajnë veten në grackën e së shkuarës. Për më tepër, nuk mund të na mbajnë neve të tjerëve peng të së shkuarës.
Doni të thoni që ne duhet të synojmë përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë?
-Po, pse jo?
Po ata nuk kanë kërkuar falje.
-Falje? E çfarë rëndësie ka kjo? Kjo puna e faljes është një alibi për të justifikuar politikat e konservimit të armiqësisë së përjetshme mes shqiptarëve e serbëve.
Të gjithë e dimë se serbët nuk janë të gatshëm të kërkojnë falje. Pse duhet t’u kërkojmë një gjë që ata nuk e bëjnë dot, e që nuk e bën askush në Ballkan?
Ata janë ca më shumë në kurthin e historisë. Ata janë të dehur e të droguar nga historia.
Dhe këtij fakti nuk kemi se ç’ti bëjmë. Duhet ta njohim e ta pranojmë. Shoqëria serbe është ende e intoksikuar me nacionalizëm, shovinizëm, antishqiptarizëm.
Është një shoqëri me limite të mëdha. Edhe kjo dihet. Por ndërkohë, duhet bërë diçka me sytë nga e ardhmja. Duhen disa shembuj emancipues.
Diskutime rreth kësaj post