Analisti Mustafa Nano ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Nano tek Mini-Schengeni nuk shikon ndonjë të keqe
Pjesë nga intervista në MCN Tv:
Ju jeni dakord me qasjen e kryeministrit Rama në marrëdhëniet me Serbinë? Mini-Schengeni, takimet e shpeshta me Vuçiçin, marrëdhëniet e vështira me Kurtin etj.
-Unë jam dakord me idenë që ne duhet të shohim përpara, e nuk duhet zhbirilojmë në histori për të gjetur arsye për t’i dhënë kuptim armiqësisë sonë.
Te Mini-Schengeni nuk shoh ndonjë të keqe. Mos vallë duhet të besoj sendërgjitë idiotike të atyre që thonë se Mini-Schengeni është një Jugosllavi e re?
Sa për takimet e Ramës me Vuçiçin, ato unë i shoh me shumë pozitivitet, i shoh si përpjekje për të zbutur klimën, për të neutralizuar efektin e ngarkesave që na kanë mbetur prej historisë. Dhe duhet thënë se merita është edhe e Vuçiçit.
Rama herë pas here, ç’është e vërteta, më duket më naiv përballë një Vuçiçi më të djallëzuar, por Ramën e shoh si më vizionar se Vuçiçin.
Historia do të flasë më mirë për Ramën në këtë pikë. Kur vjen puna pastaj te anashkalimi i Kurtit, kjo vjen prej Kurtit vetë.
Kurti ka sjellë një standard moral të rëndësishëm në politikën kosovare, ndoshta edhe panshqiptare, ndoshta edhe ballkanike, por në politikën e jashtme është amator.
Është më pak i përgatituri në skenën ballkanike. Duket sikur ka një kompleks inferioriteti. Nëse është kështu, duhet ta mundë këtë kompleks e duhet të bëhet pjesë e lojës. Vetëm kështu do të fitojë edhe Kosova.
Kosova nuk mund të fitojë duke thënë se “nëse serbët nuk njohin gjenocidin, nëse ata nuk kërkojnë falje, nëse ata nuk njohin shtetin e Kosovës tani, këtu, menjëherë, atëherë nuk kemi se ç’të negociojmë me Serbinë”.
Diskutime rreth kësaj post