Rivaliteti i krijuar mes Elvana Gjatës dhe Arilena Arës në skenën e Festivalit të 58-të të Këngës duket se po merr përmasa të reja. Kështu, disa dita pasi pamë Arilenën në krah të Dafina Zeqirit, shohim Elvanën që i shpall konkurrencë me Loredanën në krah.
Elvana dhe Loredana kaluan mbrëmjen bashkë me stilistin Valdrin Sahiti dhe foton e publikoi pikërisht ky i fundit, i cili në këtë postim shkruante: “Lëre të nesërmen të vijë më shpejt!”.
Duket se dy artistet e kanë shijuar qëndrimin bashkë, pasi shihen duke qeshur dhe argëtuar, ndërkohë që po flitet për një bashkëpunim mes të dyjave.
Kujtojmë që prej kohësh përflitet edhe për një bashkëpunim mes Elvanës dhe Mozzik, por ende nuk ka një konfirmim nga ana e artistëve, duke qenë se preferojnë ta mbajnë suprizë deri në momentin që finalizojnë projektin.
Nga ana e saj, reperja Loredana Zefi, e cila ndodhet në Kosovë për disa data koncertesh, gjatë qëndrimit ndau disa momente me Elvanën.
“Elvana Gjata ta ha synin!”, ka shkruar ajo në përshkrimin e postimit të publikuar. Këto foto të Elvanës dhe Loredanës vijnë pak ditë pas atyre të Arilenës dhe Dafinës.
Disa ditë pasi Arilena Ara festoi 23-vjetorin me një festë të çmendur në Jug, ajo bëri publik duetin e saj të përfolur me Dafina Zeqirin. Ajo mblodhi miqtë e personat më të dashur buzë detit, për një superfestë verore, ku pjesë e festës ishin edhe bashkëpunëtorët e këtij projekti.
Ndërkohë, artistet kanë realizuar foto pranë njëra-tjetrës ku duken vërtet shumë bukur. Bashkëpunimi i përfolur më në fund u konfirmua edhe nga vetë Arilena dhe Dafina, përmes postimeve të tyre në “Instagram”.
“Më shpejt nga ç’mendoni”, deklaroi Arilena. Ara ndërkohë ka gati publikimin e albumit të parë të karrierës, ku ka shprehur nëpërmjet muzikës të gjitha ngjyrat që jetojnë brenda saj! Ai do të vijë nën titullin “POP ART” dhe të gjithë fansat e artistes të bëhen gati pasi albumi do të publikohet së shpejti.
Ndërsa Elvana u rikthye pas tre vjetësh mungesë, duke publikuar albumin e saj të jetës, me titull “Çelu”, shtatë këngë për çdo ditë të javës, një album ku flitej se nuk munguan notat autobiografike.
Fansat i dëgjuan fillimisht 7 këngët e zhanerit baladë të lancuara në “Spotify”, larg komercializmit, dhe që mbajnë titujt: “A po vjen”, “Drandofilat”, “Jeta ime”, “Vendi im”, “Kur jemi dasht”, “Kunadhe” dhe “Mos u ngut”.
Që nga titujt kuptoheshin edhe fabulat e këngëve, të cilat më pas u publikuan me klipe edhe në “YouTube”, siç Elvana bëri me albumin “3”. Ishte miku i saj, stilisti Valdrin Sahiti, që zbuloi i pari se këngëtarja po bëhej gati për një projekt bombë.
Ndërkohë, sa i përket rivalitetit me Arilenën, Elvana Gjata foli para pak ditësh për raportin që ka me Alketa Vejsiun, pasi u përfol se ia la “seen” dy herë komentet që prezantuesja i kishte bërë në “Instagram” rreth suksesit të saj.
“Me yll në ballë”, “Emocion i vërtetë” – ishin komentet e Vejsiut, e cila nuk mori përgjigje. Por teksa ishte e ftuar në emisionin “Nin”, Elvana sqaroi se ç’raport ka me Alketën, e cila ishte drejtuese e festivalit, që u shpall fituese Arilena.
“Kur pashë shkrimin, e kuptova se çfarë kishte ndodhur, se nuk e dija. Absolutisht nuk e pashë komentin e Alketës. Po t’ia ktheja, fillonin prapë nga fillimi e pastaj thashë ‘më mirë lëre fare’”, – sqaroi Elvana, duke nënkuptuar se nuk i kishte parë komentet e Vejsiut.
E pyetur nëse e ka sqaruar privatisht situatën me Vejsiun, Elvana tha: “Po jo more se çfarë do sqaroj?! Mesazhet që shkruajnë mediat për ne?! Po kemi edhe ne punët tona!”.
Arsyeja e kësaj hatërmbetjeje mendohej të ishte “Festivali i Këngës”, ku Elvana doli në vendin e dytë. Gjatë kësaj interviste këngëtarja u shpreh se më i rëndësishëm për të është fakti që publiku e shpalli fituese absolute dhe pavarësisht pozicionimit në vend të dytë, Elvana nuk do të ndalojë që në të ardhmen të marrë sërish pjesë në të tilla kompeticione.
“Unë pikësëpari dua të iua them me zemër fansave të mi se unë e kthej kokën pas me buzëqeshje. Nuk kam asnjë keqardhje, sepse çdo gjë ndodh për një arsye dhe koha tregon se çfarë ka qenë më e mira për të ndodhur. Pritshmëritë kanë qenë të mëdha dhe mua kjo më ka interesuar.
Kjo është ajo për të cilën unë jetoj, që të jem favoritja e publikut gjithmonë, që njerëzit me festival, pa festival, ta duan Elvanën dhe këngën e saj gjithmonë. Edhe pjesa e votimit nuk është ndonjë risi në Shqipëri, në festivalet shqiptare.
Dua që publiku ta përqafojë këngën dhe ta mbajë përjetë me vete, aty është fitorja më e madhe, ai është çmimi më i madh dhe nuk janë gjëra klishe këto që po ju them, por që vijnë nga zemra vërtet”, – tha Elvana.
Kur u pyet nëse “një dorë” ka ndikuar në renditjen e saj, Elvana tha me shaka: “Nuk di të them, nëse di ndonjë gjë ti, ma thuaj (qesh). Ku di gjë unë e shkreta, nuk di gjë”.
Diskutime rreth kësaj post