Pas distancës në zgjedhjet e 25 prillit, LSI duhet se është zhdukur nga qarkullimi. Partia e presidentit u katandis me 4 mandate nga zgjedhjet dhe që tani po jep sinjale se nuk do të ketë më peshë në politikën shqiptare. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi që pas zgjedhjeve të 25 prillit duket se është zhdukur.
Duket se çdo ditë e më pak, po shohim gjurmë të kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhit në jetën publike dhe politike të vendit. Dalja e saj e fundit në media ishte deklarata që ajo mbajti pas zgjedhjeve të 25 prillit, nga ku teksa pranoi humbjen e LSI, i kërkoi edhe falje presidentit Ilir Meta dhe u shpreh se djegia e mandateve ishte një strategji e gabuar teksa dukej e penduar edhe për koalicionin PD-AN-LSI.
Kryemadhi po ashtu, hodhi akuza se procesi zgjedhor u manipulua dhe vullneti i qytetarëve u deformua, por shtoi se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk dorëzohet dhe do të vijojë rrugëtimin e saj. Beteja e LSI për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve vijoi në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, në Kolegjin Zgjedhor dhe Gjykatë, por Kryemadhi ia delegoi këtë punë vartësve të saj, ndërsa në profilet zyrtare dhe sociale në rrjet, nuk ka pasur asnjë reagim.
Edhe pse në vend ka pasur zhvillime të shumta, kryetarja e LSI nuk ka bërë asnjë reagim në media dhe asnjë postim në rrjetet sociale, ndërsa pak javë më parë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi së bashku me presidentin Ilir Meta udhëtuan drejt SHBA-ve. Por përveç zhdukjes së Kryemadhit, edhe shumë ish- deputet të kësaj force politike janë distancuar nga partia e presidentit Meta që pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit.
I vetmi që ka qenë aktiv në politikë ka qenë nënkryetari i LSI Petrit Vasili, i cili herë pas herë ka reaguar mbi zhvillime të ndryshme që ka pasur në vend dhe me akuza ndaj qeverisë. Por, edhe ky i fundit në reagimet e tij, duket se më shumë i ka reagime të cilat janë personale sesa në emër të partisë Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Krisja mes PD -LSI
Ndërkohë, edhe marrëdhëniet mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim duket janë krisur që pas zgjedhjeve. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim bën marrëveshje zyrtare para zgjedhjeve parlamentare, edhe pse garuan në lista më vete në 25 prill.
Pas rezultatit të zgjedhjeve, që i la sërish në opozitë të dyja partitë, përveçse kanë akuzuar partinë Socialiste për vjedhje votash, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nuk kanë dhënë asnjë deklaratë konkrete për bashkëpunimin mes tyre. Madje partia e presidentit, hodhi kritika ndaj demokratëve edhe sa i takon betejës në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve duke akuzuar PD, se nuk ishte shumë e përfshirë për ta çuar deri në fund betejën. Tashmë, mbetet për tu parë se si do të jenë raportet mes dy partive në shtator, pasi Lëvizja Socialiste për Integrim ka vetëm 4 deputetë dhe mund të mos kemi as bashkëpunim në Parlament mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Diskutime rreth kësaj post