Për shuarjen e zjarreve këto ditë në Karaburun po përdoren 3 helikopterë. Dy u morën me qira në momentet e fundit nga ministria e Niko Peleshit nga një kompani private. Ishte zgjidhja emergjente një një situate të dëshpëruar, kur zjarrëfikëset e propagandës nuk i përballonin dot më flakët e Karaburunit.
Një tjetër është një Cougar që i përket Forcave Ajrore. Vetëm një. Kur nuk detyrohet të transportojë kryeministrin Edi Rama, përdoret për të hedhur ujë mbi flakët që djegin pyje dhe shtëpi në fshatrat e Vlorës. Por shteti shqiptar në vitin 2009, kur qeveria drejtohej nga Sali Berisha pagoi 78.6 milion euro për blerjen e 5 helikopterëve Cougar. Pse Edi Ramës i ka mbetur vetëm një?
Lapsi.al kontaktoi me një specialist të fushës, një ushtarak që nuk pranoi të identifikohej, por që punon pranë Forcave Ajrore dhe ka ndjekur ecurinë e procedurave dhe përdorimin apo mirëmbajtjen e helikopterëve Cougar, që kur u blenë dhe deri më sot.
Në vitin 2009 qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha nënshkroi një kontrantë me kompaninë franceze “Eurocopter” për blerjen e 5 helikopterëve Cougar me vlerë 78.6 milion euro. Njëri prej helikopterëve, ishte në konfigurimin VIP, tregon ai. Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste në vitin 2014, qeveria e drejtuar nga Edi Rama e ndryshoi kontratën me francezët e “Eurocopter”. Në vend të helikopterit VIP u morën dy helikopterë për emergjenca.
Me këtë ndryshim Shqipëria bëhej me 4 helikopterë Cougar AS 532 AL të parashikuar që në fillim në kontratë dhe me 2 helikopterë EC 145, të cilët zëvëndësuan helikopterin Cougar AS 532AL, në konfigurimin VIP.
Helikopterët EC 145 (foto me lart) në konfigurimin SAR janë të përdorshëm kryesisht në misione humanitare dhe ato të kërkim-shpëtimit në situata emergjencash apo fatkeqësish natyrore. Për fat të keq, njëri prej këtyre helikopterëve u rrëzua në Liqenin e Shkodrës, ku humbën jetën edhe dy pilotët në prill të vitit 2016. Ushtrisë Shqiptare i mbeten 5 helikopterë Cougar në total.
Helikopterëve të Forcës Ajrore shqiptare tradicionalisht u janë kryer shërbimet nga kompania “Helikopter Italia” e cila ka autorizim nga kompania prodhuese Eurocopter në Francë. “Serviset e helikopterëve bëheshin në Rinas. Kompania italiane sillte teknikët dhe mjetet e saj në aeroportin tonë ku bëhej diagnostifikimi në vend” u shpreh burimi i Lapsi.al.
Por në vitin 2019, ish Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka ia hoqi kontratën e mirëmbajtjes Eurocopter Italia dhe ia kaloi një kompanie franceze të quajtur Airtelis. Kompania Artelis nuk është e specializuar për mirëmbajte dhe servis helikopterësh ushtarakë. Kjo kompani është kompania që fluturon helikopterët për llogari të kompanisë franceze të mirëmbajtjes së rrjetit të tensionit të lartë në Francë. Airtelis ka edhe nje ofiçinë modeste për mirëmbajtjen e helikopterëve të saj relativisht të vegjël.
“Në këtë situatë, përveçse Shqiperia shkeli kriteret e sigurisë së NATO-s, duke çuar helikopterët ushtarakë që operojnë me sistemet e integruara të sigurisë së NATO-s në një kompani të paautorizuar dhe të paspecializuar, ka rritur kostot e shërbimit. Specialistët francezë nuk vinin në Shqipëri, si ato italianë. Ishin helikopterët Cougar që transportoheshin me kamiona nga Shqipëria në Francë” tha për Lapsi.al burimi nga Forcat Ajrore.
Në kontratën me Airtelis nuk ishin parashikuar defektet gjatë rrugës. Për ironi, në korrik të vitit 2020, ndërsa kthehej nga Franca ku kishte shkuar për remont, një nga dy helikopterët tanë pësoi avari në motorr dhe kreu ulje të detyruar në Itali.
Prej 1 viti helikopteri ka mbetur në Arezzo të Italisë. Në fillim bëri ulje të detyruar në qytezën e Poppi-t pranë Arezzo-s. “Kostot janë rritur. Helikopteri që kushton 17 milion euro ka ngelur pa shërbime tashmë prej kohësh, nuk është diagnostikuar ende problemi në motorr, dhe çdo muaj shteti shqiptar dërgon nga 2 ushtarakë për të parë gjendjen e tij në Itali” ka treguar ushtaraku i FA.
Askush nuk mban përgjegjësi për këtë skandal shtetëror që ka cënuar sigurinë kombëtare dhe kapacitetet operacionale të Forcave të Armatosura. Në kontratën me Artelis ishin parashikuar që të shkonin 4 helikopterë Cougar. U kthye vetëm një, sepse tjetri ka mbetur në Itali, ndërsa dy helikopterët e tjerë mbetën në Shqipëri dhe nuk e morën shërbimin, pas avarisë që pësoi Cougar.
Prej shumë kohësh tashmë këto dy helikopterë për të cilët nuk u krye remont, nuk ngrihen në fluturim. Shuma e parave që nevojitet për remont është shumë e madhe, për shkak se helikopterët nuk janë përdorur për shumë kohë. I vetmi që fluturon është Cougar që u kthye pas shërbimeve nga Airtelis në korrik të vitit 2020.
Këtë përdori edhe kryeministri Rama për të fluturuar nga Himara në Vermosh dhe në kthim, pak ditë më parë. Specialisti i FA që pranoi të flasë për Lapsi.al tha se, edhe ky mjet i fundit fluturues që ka mbetur, është përdorur aq shumë, saqë gjasat janë që i ka kaluar orët e punës dhe i ka ardhur koha për remont.
Diskutime rreth kësaj post