Avokat Spartak Ngjela shprehet se ish-kryeministri Sali Berisha është më i trembur se kurrë ndaj hapave që mund të ndërmarrë Amerika. Ditën e enjte ish-kryeministri Sali Berisha doli në një konferencë për mediat ku hodhi një sërë akuzash të forta ndaj Yuri Kim dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Berisha deklaroi se, akuzat e tyre nuk do e pengojnë të futet në parlament dhe se ai do të vazhdojë me padinë. Deklaratat e tij sollën mjaft reagime, ndërkohë gazeta ka kontaktuar me avokat Spartak Ngjelën për të folur më shumë mbi reagimet e Berishës. Sipas Ngjelës, Berisha ndryshe sa nga thotë nuk po shfaq transparencë, por tregon se ka frikën e një të korruptuari. Avokati tha se, ai po e kupton që nuk ka nga t’ia mbajë dhe se shumë shpejt do dalë para drejtësisë dhe do t’i sekuestrohet pasuria, prandaj edhe hidhet në akuza si një i korruptuar pa shpëtim.
“Me deklaratën që ka bërë Berisha tregon qartë që tashmë është akoma më i trembur. Kështu janë të gjithë të tremburit që janë nën akuzë, po e kanë të kotë sepse kjo është mendjelehtësi e tyre që kërcënohen ndaj akuzuesit. Në këtë rast akuzuesi i Sali Berishës është një superfuqi, ndërsa ai është një njeri me duar të zbrazura derëziu që është i korruptuar. Tani për tani asgjë nuk do t’i ndodhi po do të shkojë në gjyq, edhe po qe i pafajshëm le ta marri pafajësinë. Por s’ka shpëtim, ato prona që ka vënë ai dhe familja e tij duke qenë ky kryeministër do t’i merren sepse kështu ndodh në të gjithë botën. Asnjë kryeministri nuk i lejohet që të dalë nga qenia e tij kryeministër me shpi të pronësisë të familjes së tij”, tha avokati.
I pyetur në lidhje me rolin e kreut të PD, Lulzim Basha, në këtë situatë, Ngjela tha se Berisha do t’i kërkojë ndihmë, por Basha është në anën e SHBA. Sipas Ngjelës, edhe sikur ata të dy të bashkëpunojnë sërish për të shpëtuar Berishën këtë herë nuk ja dalin dot, sepse Amerika ka paralajmëruar edhe Bashën.
“Në lidhje me Bashën s’kanë ç’të bëjnë më. Berisha do kërkojë ndihmë tek ai pavarësisht se në këto kohë ka qenë i interesuar të bashkohen serish. Gjithsesi të shohim se si do të shkojnë gjërat sepse edhe Bashës nga ana tjetër i tërhiqet vazhdimisht vëmendje nga Amerika”, u shpreh Ngjela.
Sipas avokatit, çdo lëvizje e Berishës, qoftë edhe me ndihmën e Bashës është e kotë, sepse nuk mund të luftojnë apo t’u hedhin hi syve një superfuqie botërore si SHBA. Ngjela tha se, shumë shpejt Berisha do të dalë para gjykatës dhe atje do ta kuptojë që nuk i mbulon dot më bëmat e kryera kur ka qenë në pushtet.
“Po askush nuk ja ka fajin, pse duhet t’i fuste duart në pasuri të paligjshme dhe tani do shkojë para një gjykate dhe ta provojë atë që thotë se është i pafajshëm edhe s’ka nevojë të kërcënojë me deklaratë të tilla Ambasadën Amerikane. Nuk ka kuptim, si mund t’i kërcënohet një superfuqie botore. Shtojmë këtu faktin që është i shpallur “non-grata” në Amerikë, gjë e cila e rëndoi shumë dhe natyrisht që janë dëshpërime të njeriut që ka probleme mendore dhe kërcënon në vakum sepse nuk bën dot asgjë. Ai para gjykatës do të dalë domosdoshmërisht”, deklaroi avokati.
Diskutime rreth kësaj post