Analisti politik, Skënder Minxhozi ka deklaruar se Partia Demokratike nuk mund të mbajë dy standarde sa i takon qëndrimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit. Sipas tij retorika e PD-së në Parlament ka për të qenë e vështirë, duke qenë se nga njëra anë opozita duhet të konfirmojë qëndrimet e saj pro-amerikane, ndërsa nga ana tjetër ka si deputet një person që ka hedhur në gjyq sekretarin e DASH. Minxhozi tha se është e papranueshme që njëherë t’i konsiderojmë mesazhet e SHBA-së si faktor stabiliteti dhe njëherë si akuza tendencioze. Opozita ngulmonte që Tom Doshi, si pjesë e “listës së zezë” në Amerikë, të linte politikën prandaj sipas tij i njëjti qëndrim duhet mbajtur edhe për Sali Berishën.
“Identifikimi i interesit personal të z. Berisha me interesat e mëdha të gjithë opozitës, mendoj se është problemi kryesor që ka sot Partia Demokratike”, u shpreh analisti për “Euronews Albania”.
Sipas tij reagimi i Berishës ishte i pritshëm duke marrë parasysh profilin e tij politik. Lidhur me këtë çështje ka folur dhe gazetari Ben Andoni, sipas tij, Basha nuk është në gjendje të “vrasë” babanë e tij politik.
“Ashtu siç thuhet në kanonet politike për të “vrarë” atin, zoti Basha nuk është i zoti. Që të bësh akte të tilla zoti Basha nga artikulimi, nga mënyra e pozicionimit akoma nuk është i vetëdijshëm që është kryetar i PD por zoti Basha është krejtësisht i përgatitur për t’i kthyer krejtësisht kurrizin zotit Berisha”, tha ai.
Sipas Ben Andonit, Berish është vetëm në këtë betejë dhe nuk i ka dalë askush në krah.
“Dalja dy herë në konferencë shtypi i vetëm, pa mbështetje, tregon se ai realisht është vetëm dhe se ai është nisur në një rrugë gati pa kthim. Por, nga ana tjetër ti shikon reagimin e pikave kryesore të PD që nuk kanë artikulim të qartë dhe shenjat janë dhënë se ata janë të parët që do i kthejnë kurrizin zotit Berisha, për këtë duhen disa evidenca që ti japë sistemi jonë i drejtësisë ose të jepet diçka nga pala amerikane”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post