Analisti Aleksandër Çipa është i bindur se vjeshta do të sjellë zhvillime të forta në politikë, kjo sidomos përmes ndërhyrjes amerikane. Në një intervistë për “Ora News” ai tha se beson tek një protagonizëm që do i shkaktojë kosto Shqipërisë nga ana e zotit Berisha.
“Pres në periudhën e shtatorit nga institucionet amerikane të kenë përsëri reagime për mbylljen e regjimit të pandëshkueshmërisë. Kjo është e pakthyeshme”, tha Çipa.
I pyetur se si e sheh përplasjen Berisha – SHBA, ai tha: “Druaj të besoj tek një protagonizëm që do i shkaktojë kosto Shqipërisë nga ana e zotit Berisha. Ai e ka ezauruar kohën e bërjes së historisë së vete”. Duke u ndalur te distancimi i Bashës, Çipa deklaroi se heshtja e tij është e mirëkuptueshme.
“Heshtja e Bashës deri në këtë moment kuptohet me faktin se ai kërkon të verifikojë dhe marrë në shqyrtim të gjitha dimensionet brenda PD-së që ai kryeson. Berisha deri në momentin që flasim ka ndikuar në PD dhe vijon të ndikojë jo vetëm përmes influencës njerëzore por hijes së vet edhe pse kjo është refuzuar nga Berisha”, tha ai.
Nëse shihet me kujdes, Berishës i kanë dalë në krah vetëm shumë pak individë. Tritan Shehu është ndër të vetmit që e mbështet dhe mediat pranë tij, sidomos televizioni i familjes. Basha nuk ka reaguar fare që prej majit, kur dhe Departamenti i Shtetit e shpalli “non grata”. Edhe pse Berisha të enjten i bëri ftesë për ta përfshirë në këtë valle, Basha duket se qëndron i distancuar. Kjo tregohet edhe nga mungesa e reagimit nga deputetët e PD të dalë nga 25 prilli. Përveç Tritan Shehut nuk reagoi asnjë tjetër. Berisha në konferencë kërkoi dhe nga grupi demokrat që të kërkojnë llogari sepse ndryshe do hanë bar, por si duket është vetëm në këtë mes.
Diskutime rreth kësaj post